Kurti takon Rashiqin, ky i fundit i shpreh vullnet për vazhdim bashkëpunimi
V.S/RTKlive
Një ditë pasi presidentja e shtetit, Vjosa Osmani, ka dekretuar datën 15 prill për mbajtjen e seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, që është lider i Vetëvendosjes parti që doli e para në zgjedhjet e 9 shkurtit duke fituar 48 mandate në Kuvend, ka nisur takimet me partitë politike nga komunitetet në kuadër të konsultimeve për formimin e qeverisë së re.
Shefi qeveritar ka pritur në takim ministrin për Komunitete dhe Kthim që është kryetar i Partisë për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, Nenad Rashiq i cili në zgjedhjet e 9 shkurtit arriti të fitojë ulëse në Kuvendin e Kosovës.
“Përgjatë diskutimit, ministri Rashiq e përsëriti mbështetjen e tij ndaj kryeministrit Kurti për formimin e qeverisë së re dhe vazhdimit të bashkëpunimit të frytshëm edhe në mandatin e ardhshëm”, thuhet në njoftimin që Zyra për Media e Qeverisë së Kosovës u përcolli mediave.
Tutje, thuhet se, Kurti e falënderoi kryetarin e Partisë për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, Rashiq për punën dhe kontributin që ka dhënë për komunitetin serb në Kosovë për vetëm gjysmë mandati si ministër për Komunitete dhe Kthim.
“Ai shprehu gjithashtu vullnetin për vijimin e bashkëpunimit efikas dhe të frytshëm edhe në katër vjeçarin e ardhshëm për të arritur së bashku suksese të tjera dhe punë të mbara në shërbim të të gjithë qytetarëve, pa dallim”, thotë qeveria në njoftim.























