Nesër vazhdojnë protestat para ZRrE-së për ngritjen e çmimit të energjisë
M.P. / RTKlive
Nesër do të protestohet sërish për ngritjen e çmimit të energjisë elektrike. Aktivistët e grupit “Asnjë cent më shumë” kanë paralajmëruar se do të ketë sërish bllokadë te Zyra e Rregullatorit për Energji.
“Pas sulmit brutal ndaj aktivistëve/eve dhe mbrojtjes së hapur që shteti po i bën interesave të KEDS-it, ne nuk do të ndalemi. Asnjë rrahje, asnjë arrestim dhe asnjë presion nuk na ndalë ta kërkojmë të drejtën tonë. Nesër, e enjte, në orën 08:00, do të jemi sërish te zyrat e ZRrE-së për të vazhduar bllokadën”, thuhet në paralajmërimin e tyre.
Sot gjatë ditës, aktivistët kanë bllokuar hyrjen në Zyrën e Rregullatorit të Energjisë, në prag të vendimmarrjes për propozimin për shtrenjtim të rrymës. Policia arrestoi 12 aktivistë, teksa kjo shkaktoi reagime në opinionin publik.
Një nga ta ishte KMLDNJ, që kundërshtoi këtë arrestim duke e ndërlidhur me rritjen e çmimit si të pa pranueshëm dhe të papërballueshëm për qytetarët.
























