Kosova dhe vendet e rajonit preken nga tarifat e reja të SHBA-së
G.K/RTKlive
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka shpallur një seri masash të reja tarifore, duke përfshirë një tarifë minimale prej 10% për të gjitha importet në SHBA. Pjesë e kësaj mase janë edhe Kosova dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, të cilat do të ndikohen nga këto tarifa të reja.
Në listat e publikuara të shteteve që SHBA-ja u ka vënë tarifa, figuron edhe Kosova me një tarifë prej 10% për importet.
Pjesë e këtyre masave janë edhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, të cilat do të përballen me tarifa të ndryshme. Sipas të dhënave, tarifa për Shqipërinë është 10%, për Malin e Zi 10%, për Serbinë 37%, për Maqedoninë e Veriut 33%, dhe për Bosnjën dhe Hercegovinën 35%.
Trump gjithashtu ka shpallur se tarifa e 10% do të aplikohet për importet nga vendet si Mbretëria e Bashkuar dhe një tarifë prej 20% për ato nga Bashkimi Evropian, duke theksuar se këto masa janë reciproke dhe do të mbrojnë interesat e ekonomisë amerikane.
Ky plan tarifash vjen si pjesë e një sërë masash që Trump po merr për të adresuar deficitin tregtar të SHBA-së dhe për të rishikuar marrëveshjet tregtare globale, në përpjekje për të forcuar ekonominë amerikane dhe mbrojtur industrinë e saj, shkruan CNN.

























