Kinolli: Jemi konstruktiv dhe të hapur për formimin e institucioneve
Elmine Osmani /RTK
(E plotësuar) 12: 48) Albert Kinolli nga Partia Rome e Bashkuar e Kosovës, në një njoftim për media, pas takimit me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, foli për takimin si tha ai konstruktiv lidhur me formimin e institucioneve.
“Sot kemi pasur një takim me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, mund të them një takim konstruktiv, për të qenë pjesë e qeverisë së re dheshme. Ne si subjekt politik, si Partia Rome e Bashkuar e Kosovës, tradicionalisht jemi munduar që të jemi sa më konstruktiv dhe kreativ që të japim kontributin tonë në formimin e institucioneve të Kosovës”, tha pos tjerash Kinolli.
Ai tha se janë drejtë një përfundimi të mirë dhe si subjekt politikë nuk kanë vija të kuqe me asnjë parti tjetër politike.
“Duke pas parasysh se Lëvizja Vetëvendosje është fituese e këtyre zgjedhjeve sot në takim me kryeministrin kemi patur një takim të mirë konstruktiv dhe të hapur, kështu që kemi parashtrua kërkesat tona që të trajtohemi në mënyrë të barabartë dhe të denjë sikurse të gjitha subjektet tjera politike”, tha Kinolli.
Kurti vazhdon takimet konsultative për formimin e qeverisë

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti të enjten po vazhdon me takime konsultative për formimin e qeverisë.
Sot Kurti ka filluar takimet me Duda Balje nga Bashkimi Social Demokrat dhe Veton Berisha nga Partia Liberale Egjiptiane.
Tani në takim në kryeministri është Albert Kinolli nga Partia Rome e Bashkuar e Kosovës.
Këto takime Kurti po i zhvillon pas thirrjes së seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës nga presidentja e vendit, Vjosa Osmani, e cila do të mbahet më 15 prill.
Lëvizja Vetëvendosje thotë se mund t’i sigurojë 61 votat e nevojshme për formimin e qeverisë së re të Kosovës.
Ndërsa dy parti opozitare, LDK dhe AAK , kanë hedhur poshtë mundësinë e bashkëqeverisjes me LVV-në, kurse PDK dhe Nisma Socialdemokrate nuk kanë vendosur vija të kuqe për koalicione.























