Këshilltari i Osmanit:Murati është i fundit që mund të flasë për seriozitet
BKT
Lajme

Këshilltari i Osmanit:Murati është i fundit që mund të flasë për seriozitet

G.K/RTKlive

Këshilltari për media i presidentes, Vjosa Osmani, Bekim Kupina, ka reaguar ndaj deklaratës së Ministrit të Financave, Hekuran Murati, duke e quajtur atë "njeriun e fundit" që mund të flasë për seriozitetin në udhëheqjen e shtetit.

Kupina theksoi se Murati ende nuk ka kuptuar se udhëheqja e shtetit është një punë 24/7 dhe se sipas Kushtetutës, objektivat e politikës së jashtme përcaktohen nga Presidenca, dhe jo nga Ministria e Financave.

"Një njeri që ende nuk e ka kuptuar që udhëheqja e shtetit është punë 24/7, e jo që përfundon në orën 16:00, një njeri që ende nuk e kupton që sipas Kushtetutës dhe komentarit të Kushtetutës, objektivat e politikës së jashtme i përcakton institucioni i Presidencës, që nuk e kupton që këto gjëra nuk janë thjesht veprime ekonomike, por veprime strategjike në raport me aleatin tonë strategjik e ekzistencial," tha Kupina.

Ai gjithashtu shtoi se Murati mendon se përmes fyerjeve dhe ofendimeve mund të arrijë diçka në interes të Kosovës, duke i referuar një letre të Presidentes Osmani drejtuar Kryeministrit, e cila ishte një komunikim institucional i mirëstudiuar dhe në përputhje me rregullat e komunikimit shtetëror.

"Është turp, skandaloze dhe e papranueshme që të ketë një mungesë të respektit institucional dhe njohurive bazike se si udhëhiqet shteti," tha Kupina, duke i kërkuar Muratit të heqë tarifat e paarsyeshme ndaj aleatit kryesor të Kosovës dhe të përmbahet nga "deklaratat e turpshme dhe fëmijërore".


MË SHUME NGA Lajme