Arrestimi i serbëve në Gjakovë, njëri polic dhe tjetri pjesëtar i ushtrisë
I.H/ RTK , G.K/RTKlive
Katër persona të nacionalitetit serb janë arrestuar në Gjakovë, dy prej të cilëve janë zyrtarë aktivë të sigurisë në Serbi – një polic aktiv dhe një pjesëtar i inteligjencës së ushtrisë serbe. Gjatë kontrollit të automjeteve të tyre, janë gjetur edhe armë.
Policia e Kosovës ka arrestuar katër persona të nacionalitetit serb në Gjakovë, mbrëmjen e së shtunës, rreth orës 19:00. Arrestimi është kryer nga njësitet policore të Gjakovës, të cilët kanë ndaluar katër meshkuj serbë në rrugën “Gaspër Karaqi”. Pas verifikimeve, ata janë identifikuar si: N.V. (1982), P.K. (1990), B.R. (1978), dhe M.S. (1982).
Këtë e konfirmoi për RTK, major Milazim Lumi, komandant i Stacionit Policor në Gjakovë.
Gjatë kontrollit të automjetit, në bagazh janë gjetur armë, çka ka çuar në hapjen e rastit për "posedim dhe armbajtje pa leje". Pas konsultimeve me Prokurorinë e Shtetit, katër të arrestuarit janë ndaluar për 48 orë.
Dyshimet fillestare janë se të arrestuarit mund të kenë lidhje me Agjencinë e Inteligjencës të Serbisë (BIA).
Drejtori Rajonal i Policisë në Gjakovë, kolonel Lumni Graishta tha për RTKlive se dy prej tyre janë zyrtarë të sigurisë në Serbi, njëri është polic aktiv, ndërsa tjetri është pjesëtar i inteligjencës së ushtrisë serbe.
"Aktualisht, rasti po trajtohet si "armëmbajtje pa leje", por pas hetimeve, rasti mund të rikualifikohet", deklaroi ai.
Lidhur me këtë është raportuar edhe në komunikatën e ZKM-së lidhur me mbledhjen e Këshillit të Sigurisë së Kosovës, ku u raportua për u raportua dhe diskutua për "gjendjen e përgjithshme të sigurisë me theks te planet destabilizuese dhe ndërhyrjet kriminale të Serbisë".
"Kur kësaj i shtojmë edhe arrestimin e mbrëmshëm të katër ‘pelegrinëve’ serbë në Gjakovë – nga të cilët njëri ishte toger i policisë së Serbisë e tjetri kapiten i ushtrisë së Serbisë, dhe krejt çfarë u është konfiskuar atyre – kërkohet që të gjitha institucionet dhe mekanizmat e shtetit ta mbajnë lart vëmendjen dhe gatishmërin", thuhet në njoftim.























