Premiera e shfaqjes "God Bless America" në Teatrin e Gjilanit
Sh.G|RTKlive
Shfaqja më e re "God Bless America" do të ketë premierën më 9 prill në Teatrin e Gjilanit, pas një periudhe prove që ka nisur më 25 shkurt.
Në programin e mëngjesit në RTK, ishte i ftuar regjisori dhe skenaristi i kësaj shfaqjeje, Fatos Berisha, i cili duke folur rreth shfaqjes tha se është punon me tekst të tij në teatër .
“Është hera e parë që po punoj me një tekst timin në teatër. Është një rrëfim, një fabul metaforike për katër shitës të Biblës në Amerikën e viteve të '60, dhe jam inspiruar nga një film dokumentar që titullohej 'Shitësit'. Këtë tekst e kam shkruar gjatë kohës së pandemisë, një periudhë që ishte shumë depresive për të gjithë,” tha Berisha.
Përsa i përket qasjes krijuese, ai shtoi se po tenton të bëjë shfaqje që trajtojnë fenomene aktuale.
“Pastaj zhanret dalin natyrshëm. Zhanri gjithashtu del nga fabula. Unë e adhuroj që t’i përziej zhanret, sikur edhe vet jeta reale që nuk ka zhanër. Shpresoj që shfaqjen ta shijojnë publiku”, th ai.
Berisha, gjithashtu, theksoi se kjo shfaqje është një barrë e dyfishtë pasi që, sipas tij, për herë të parë është duke realizuar një shfaqje me tekst të tij.
“Unë vërtetë jam munduar të jem i pamëshirshëm, për të thënë kështu në thonjëza, me tekstin dhe i kam inkurajuar edhe aktorët të jenë të hapur ndaj meje dhe të jenë kritikë ndaj tekstit, në mënyrë që, bashkë me ekipin, ta ngremë sa më shumë nivelin e tekstit”, tha Berisha.
Kasta e aktorëve përfshin: Avni Shkodra (Lepuri), Gani Rrahmani (Dhelpra), Kushtrim Qerimi (Demi) dhe Ali Demi (Arusha). Ata, gjatë rrugëtimit të tyre, përballen me një mori aktorësh dhe personazhesh, përfshirë: Aurita Agushi, Alban Shahiqi, Mejreme Berisha, Tringa Hasani, Safete Mustafa, Bashkim Nexhipi, Artan Selimi dhe Florent Salihu.
Shfaqja premton të ofrojë një eksperiencë të thellë dhe emocionale, duke trajtuar tema aktuale dhe duke reflektuar mbi aspekte të ndryshme të jetës dhe shoqërisë.























