“Eposi i Feniksit” i Angela Kostës, fati i një epoke në një poezi
A. F./RTK
Poezia e Angela Kostës ka privilegjin e bashkëkohësisë, duke depërtuar me lehtësi dhe me një frymë komunikuese te lexuesi. Ajo është poete e kohës, e përditshmërive tragjike, poete e njeriut dhe fateve njerëzore.
Poezia “Eposi i Feniksit”, e sapo publikuar, është konceptuar në atë mënyrë që përfshin frymëzimin, krijimin, filozofinë, mesazhin, kuptimin, duke i zhytur ato në mbretërinë e artit të fjalës, duke i dhënë një origjinalitet që spikat.
“Eposi i Feniksit”, sipas Arben Iliazit, të trondit, jo vetëm për nga origjinaliteti, por edhe nga harmonia brenda realitetit jetësor, ku mbarten konfliktet, deformimet, tjetërsimet, metamorfozat, zhgënjimet dhe shpërthimet. A. Kosta krijon imazhe të pafundme dhe të papërsëritshme të kësaj bote që jetojmë e për të cilën mendojmë. Forma e zgjedhur për qasjen ndaj një realiteti të tillë “shkruar në gravura furtunash/me dorën e hekurt të sundimit”, është shprishja e harmonisë “për të harmonizuar” parregullsinë, duke kënduar këngën “e feniksit gjakatar që globin rrotullon/ i etur nën petkun e ferrit/ nën rrënoja hirëzohet.../ e sërish rilind/ rilind botën të sundoj”.
Ky tekst sinkretik, ku kuptimi global del nga shuma e ligjërimeve,është një vizion që të rrëqeth duke kaluar përmes disa konotacionesh shoqërore, përmes shenjave të veçuara të përmbajtjes. Vetë bota e përjetimeve të poetes vjen te ne si një botë me kuptim, e detajuar, si fushë e motivimeve tona. Realiteti, e vërteta, shihen më shumë se efekt i kuptimit.
Poezia është si një këngë që e këndojnë të gjithë pa zë, që del prej gjoksit e mendjes. Poetja fokuson motivet mbi fatin e një epoke, mbi fatin tonë kolektiv. Forma e zgjedhur për qasjen ndaj një realiteti të tillë është copëzimi i së tërës, duke i dhënë pjesës atributet e së tërës, duke shprishur harmoninë “për të harmonizuar” parregullsinë. Vargjet burojnë nga njohja, nga parregullsia e botës, duke i shërbyer rregullsisë së saj dhe ekuilibrit.
“Akoma vazhdojmë të mbesim...
Gjurmë epikash pa lavdi
ngërdheshjen e falimentimit lëmë pas
peshën e kohës mbi supe mbartim
teksa mbllaçisim skëterrën e shpirtit
pa lotët e shekujve...”
Këto vargje me mesazhe shungulluese, falë përdorimit me mjeshtëri të potencialit kuptimor të fjalës, kanë një shtrirje aq të gjerë, sa mbulojnë me kuvertën epiko-lirike gjithë kohërat e hapësirat, me ngarkesë të rrallë emocionale, tension dhe temperaturë të një shkarkese të përflaktë.
Si përfundim mund të shpreheshim se poezia ”Eposi i Feniksit”është shprehje eksplicite e një potenciali shpirtëror të pashtershëm, që metaforizon ndjesinë e dekadencës dhe parabolën e rrënimit dhe që mund të përkthehet dhe të flasë në çdo gjuhë të botës, me ndjeshmërinë dhe logjikën e saj.
EPOSI I FENIKSIT
Grimca diejsh nën krateret e pashuara
ngadhënjime të parrëfyera në eposin e kohërave
shkruar në gravura furtunash
me dorën e hekurt të sundimit
feniksit gjakatar që globin rrotullon
i etur nën petkun e ferrit
nën rrënoja hirëzohet...
e sërish rilind
rilind botën të sundoj.
Dhe ne heshtim...
unë hesht...
e pafuqishme
t'i përballem mëshirimit
të sfidoj kohërat ku ne mbetëm
me koka të prera, pa sy...
Sot...
akoma vazhdojmë të mbesim...
Gjurmë epikash pa lavdi
ngërdheshjen e falimentimit lëmë pas
peshën e kohës mbi supe mbartim
teksa mbllaçisim skëterrën e shpirtit
pa lotët e shekujve...























