Nis regjistrimi i deputetëve të rinj (VIDEO)
BKT
Lajme

Nis regjistrimi i deputetëve të rinj (VIDEO)

Edona Podvorica / RTK

Ndër të parët që u pa të hyjë në Kuvendin e Kosovës për t`u regjistruar si deputet ishte kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, kryeministri në detyrë, Albin Kurti.

Mandatari i qeverisë së re të vendit nuk pranoi t'u përgjigjet pyetjeve të gazetarëve mbi numrat dhe nëse formimi i qeverisë mund të ndodhë të martën.

Partia e tij që fitoi 48 mandate në zgjedhjet e 9 shkurtit, u refuzua nga Lidhja Demokratike e Kosovës, e vetë Kurti ditë më parë tha se disa deputetë të pakicave joserbe po ndikohen e po shantazhohen nga Serbia, me çka la të kuptohet se votat e tyre s’i ka të garantuara.

Por, në radhët e partisë së tij, ka deputetë që janë të bindur se Vetëvendosje i ka numrat për ta bërë qeverinë. Veçse pyetjes se me cilët deputetë, askush s’i dha përgjigje.

Zyrtar të partisë nuk i komentuan pyetjet e RTK-së, sot, nëse i kanë nisur ftesë për takim PDK-së ose AAK-së. Por, zyrtari i AAK-së, Ahmet Isufi, ka deklaruar se edhe në rast se do të ketë ftesë për partinë e tij, do të refuzohet. Ai po ashtu ka thënë se po bisedojnë me PDK-në dhe LDK-në, për ta formuar qeverinë e re.

Ndryshe,120 deputetët e ardhshëm të Kuvendit të Kosovës kanë filluar me procesin e regjistrimit për Legjislaturën e 9-të të këtij institucioni, në hollin e objektit të Kuvendit.

Numrin më të madh të deputetëve në zgjedhjet e 9 shkurtit e ka fituar Lëvizja Vetëvendosje, rrjedhimit ata janë të parët që kanë filluar me procesin e regjistrimit si deputetë të rinj.

Më pas, në këtë proces, që do të zgjasë deri të premten, do të regjistrohen deputetët e partive tjera, me radhë të bazuar në numrin e deputetëve të fituar.

Seanca konstituive do të mbahet më 15 prill.

 


MË SHUME NGA Lajme