Drejtori i Përgjithshëm i RTK-së mori pjesë në 80-vjetorin e BHRT-së
BKT
Lajme

Drejtori i Përgjithshëm i RTK-së mori pjesë në 80-vjetorin e BHRT-së

B.H./RTKlive

Drejtori i Përgjithshëm i Radiotelevizionit të Kosovës, Hysen Hundozi, ka marrë pjesë në ceremoninë solemne të organizuar në Sarajevë, me rastin e 80-vjetorit të themelimit të Radiotelevizionit të Bosnje e Hercegovinës (BHRT).

Hundozi e ka vlerësuar pjesëmarrjen në këtë ngjarje si një përvojë të veçantë, që rikujton rëndësinë jetike të medieve publike në kohën që po jetojmë, ku nevoja për informim të saktë dhe të pavarur është më e domosdoshme se kurrë më parë.

“Një përvjetor që nuk shënon vetëm vite, por edhe histori: 80 vjetori i themelimit të Radiotelevizionit të Bosnjës e Hercegovinës BHRT. Ishte kënaqësi të jem pjesë e këtij momenti në Sarajeve, që na rikujtoi rëndësinë e medieve publike në kohën që po jetojmë. Më shumë se kurrë, sot kemi nevojë për  informacione të sakta dhe medie të pavarura  që i shërbejnë shoqërisë”, ka shkruar Hundozi në Facebook.

Ai gjithashtu ka shprehur falënderim të veçantë për organizatorët e këtij jubileu për mikpritjen dhe atmosferën e ngrohtë, duke vënë theksin në rëndësinë e bashkëpunimit dhe shkëmbimit të përvojave në forcimin e misionit të përbashkët të medieve publike.

“Ishte kënaqësi të takoj kolegët nga BHRT, rajoni si dhe partnerët ndërkombëtar nga European Broadcasting Union - EBU dhe Goethe-Institut. Bashkëpunimi dhe shkëmbimi i përvojave janë thelbësore në forcimin e rolit të medieve publike”, ka shtuar Hundozi.


MË SHUME NGA Lajme