Ambasadori i Japonisë viziton Degën e RTK-së në Prizren
Enis Tabak | RTK
Dega rajonale e Radio Televizionit të Kosovës (RTK) në Prizren mirëpriti sot një delegacion të lartë diplomatik nga Japonia, i cili u kryesua nga Ambasadori i Japonisë për Austri dhe Kosovë, Kiminori Iwama. Në këtë vizitë zyrtare, ambasadori ishte i shoqëruar nga i ngarkuari me punë në Ambasadën e Japonisë në Prishtinë, Hiroyasu Tanigaki.
Delegacioni u prit nga ushtruesi i detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm të RTK-së, Hysen Hundozi si dhe drejtori i degës së RTK-së në Prizren, Muharrem Saraxholli.
U.d. i Drejtorit të Përgjithshëm të RTK-së, z. Hundozi, prezantoi një panoramë të punës së përditshme të kësaj njësie rajonale, përfshirë prodhimin e emisioneve informative dhe kulturore në disa gjuhë të komuniteteve që jetojnë në këtë qytet. Ai falënderoi ambasadorin për përkrahjen dhe partneritetin e deritanishëm me shpresë që ky partneritet të vazhdojë edhe në të ardhmen.
Gjatë vizitës, mysafirët patën mundësinë të vizitojnë hapësirat e brendshme të RTK-së në Prizren, përfshirë studiot dhe dhomat e montazhit, ku u takuan dhe bashkëbiseduan me gazetarë dhe kameramanë lokalë. Ata u njohën nga afër me sfidat dhe sukseset e stafit.
Ambasadori Iwama shprehu vlerësim për përkushtimin e stafit të RTK-së. Ai theksoi se Japonia është e interesuar për të thelluar bashkëpunimin në fushat e edukimit mediatik, teknologjisë dhe shkëmbimit të përvojave profesionale.























