Kurti: Kosova nikoqire e Defender Europe për herë të tretë
BKT
Foto arkiv
Lajme

Kurti: Kosova nikoqire e Defender Europe për herë të tretë

G.K/RTKlive

Kryeministri në dorëheqje, Albin Kurti, ka njoftuar se ushtrimi më i madh ushtarak, Defender Europe, do të zhvillohet për të tretën herë në Republikën e Kosovës.

Nga 26 maji deri më 6 qershor, Kosova do të jetë nikoqire për rreth 12 mijë ushtarë nga 19 vende të ndryshme, si pjesë e ushtrimit të reagimit të menjëhershëm, një nga tre ushtrimet e planifikuara në kuadër të Defender Europe 25.

Përveç këtij angazhimi, këtë vit do të vendoset Komanda e Divizionit të 28-të të Këmbësorisë së ushtrisë amerikane në Aeroportin e Gjakovës, nga ku do të drejtohen të gjitha ushtrimet në rajonin e Ballkanit.

Në një postim në Facebook, Kurti theksoi se ky është një moment i rëndësishëm që tregon thellimin dhe zgjerimin e bashkëpunimit të Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë. Ai gjithashtu e përmendi përmirësimin e aftësive luftarake të ushtrisë kosovare, duke e bërë vendin më të sigurt dhe duke kontribuar në stabilitetin rajonal.

"Që nga ndarjet e larta buxhetore për çdo vit, pajisja e ushtarëve me armatim modern e gjithnjë më të shumtë e deri te ngritja e aftësive luftarake, përherë në bashkëpunim me shtetet anëtare të NATO-s, e kanë bërë Kosovën një vend të sigurtë si asnjëherë më parë dhe i tillë që kontribuon dhe eksporton stabilitet. Ne jemi të përkushtuar që të rrisim edhe më tej angazhimin e Kosovës në ruajtjen e paqes dhe mbrojtjen e sigurisë në rajon e më gjerë", ka shkruar Kurti.


MË SHUME NGA Lajme