Kosova dhe Shqipëria bashkëpunojnë për integrimin në BE
G.K/RTKlive
Sot, në Tiranë u zhvillua një takim ndërmjet Drejtorëve Politikë të Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë dhe të Kosovës. Ky takim u fokusua në çështjet e bashkëpunimit dypalësh, çështjet rajonale dhe procesin e integrimit të dy shteteve në Bashkimin Evropian.
"Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Igli Hasani, përshëndeti delegacionin kosovar dhe theksoi rëndësinë e vazhdimit të bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet dy vendeve, duke theksuar nevojën për koordinim të mëtejshëm në nivel institucional", thuhet në njoftimin e MEPJ.
Pjesëmarrësit në këtë takim diskutuan një gamë të gjerë çështjesh, ku një fokus i veçantë ishte forcimi i subjektivitetit të Kosovës përmes njohjeve të reja dhe përforcimi i rolit të saj në strukturat rajonale. Po ashtu, u theksua rëndësia e bashkëpunimit të ngushtë në kuadër të politikave rajonale dhe shumëpalëshe, me qëllim rritjen e ndikimit të dy shteteve në proceset ndërkombëtare.
Një temë tjetër e rëndësishme e këtij takimi ishte koordinimi i strategjive për forcimin e faktorëve shqiptarë në rajon, duke vënë në dukje rëndësinë e një qasjeje të koordinuar për të adresuar çështjet që prekin interesat e përbashkëta të shqiptarëve.
Ky takim i lartë është një hap tjetër drejt forcimit të marrëdhënieve dypalëshe dhe një nxitje për intensifikimin e bashkëpunimit mes dy shteteve, për të avancuar më tej integrimin e përbashkët në BE dhe për të kontribuar në stabilitetin dhe zhvillimin e rajonit.
"Pjesë e rëndësishme e bisedimeve ishte edhe vëmendja dhe koordinimi në raport me faktorin shqiptar në rajon", thuhet në njoftimin e Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme.























