Nderohen dëshmorët e Komunës së Prishtinës
BKT
Lajme

Nderohen dëshmorët e Komunës së Prishtinës

V.S|RTKlive

Me shënimin e Ditës së Dëshmorëve të Komunës së Prishtinës janë vendosur kurora lulesh në varrezat e dëshmorëve në Velani.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në ditën e dëshmorëve të UÇK-së të komunës së Prishtinës, ka vendosur kurorë lulesh në nderim të dëshmorëve, në varrezat në Velani.

E para e shtetit ka thënë se dëshmorët janë themeli i lirisë e kujtimi për ta, nuk është vetëm nderim, por zotim për një shtet të drejt e të barabartë.

“Dëshmorët janë themeli i lirisë sonë. Kujtimi për ta nuk është vetëm nderim, por zotim se do të punojmë çdo ditë për një shtet të drejtë, të barabartë dhe dinjitoz, ashtu siç e ëndërruan ata".

Presidentja Osmani ka thënë se kjo ditë u kujton vlerat për të cilat ranë dëshmorët dhe se kujtimi për ta është i përhershëm.

Për homazhe në kompleksin e varrezave të dëshmorëve në Velani ishte edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti bashkë me kabinetin e tij qeveritar. I njëjti nuk u prononcua për media.

Edhe kryetari i Prishtinës, Përparim Rama bashkë me ish-komandantin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Zonën e Llapit, Rrustem Mustafa bënë homazhe në kompleksin e varrezave të dëshmorëve në Velani.

Rama tha se 18 prilli është dita kur nderohen dëshmorët e Prishtinës, për çka potencoi se të rënët për lirinë e Kosovës “do t’i kemi në zemrat tona”.

“Në këtë ditë madhështore, 18 prilli dita kur edhe i nderojmë dëshmorët, sidomos ata të rrethit të Prishtinës, të Gollakut. Jam këtu me komandant Remin dhe me shokët e tij, luftëtarët e UÇK-së që kemi ardhur së bashku dhe vijmë çdo herë në këtë ditë për të nderuar sakrificën e dëshmorëve, heronjve tanë. Njerëzve të mëdhenj, familjeve po ashtu që na kanë mundësuar që sot ta gëzojmë lirinë, demokracinë dhe të jemi në një fazë ku edhe planifikojmë për zhvillimin e të ardhmes, të vendit tonë, të popullit tonë. Lavdi të gjithëve. Kjo ditë do të jetë e tillë për çdo vit e mot, çdo herë. Dëshmorët e heronjtë tanë i kemi gjithmonë në zemrat dhe mendjet tona”, theksoi Rama.

Ndërkaq, Mustafa pas homazheve me bashkëluftëtarët e tij, tha se 18 prilli është një ditë e madhe për Prishtinën pasi nderohen dëshmorët e këtij vendi. Ai theksoi se sakrifica e të rënëve do të nderohet përgjatë kohë.Tek varrezat për homazhe erdhën edhe familjarë të dëshmorëve e qytetarë të tjerë.

Homazhe bënë edhe pranë shtatores së heroit të Zahir Pajaziti.


MË SHUME NGA Lajme