Shkëlqim Devollit i ndërpritet mandati si Konsull Nderi në Mal të Zi
Sh.Ç|RTKlive
(E plotësuar, ora 16:24) Shkëlqim Devollit i është ndërprerë posti diplomatik që pati marrë më 2019 në emër të Republikës së Kosovës, ka njoftuar ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla.
Vendimi është marrë, siç ka shkruar Gërvalla në Facebook, si pasojë e dokumenteve të Devollit ku Peja figuron si qytet në Serbi.
Gërvalla ka thënë se kushdo që mohon shtetësinë e Kosovës nuk mund të jetë përfaqësues i Kosovës.
“Zero tolerancë ndaj mohuesve të Republikës së Kosovës. Asnjëherë "Peć, Serbia" por Pejë, Republika e Kosovës. Dje ka marrë fund mandati i z. Shkelqim Devolli si Konsull Nderi i Republikës së Kosovës në Mal të Zi për rrethin konsullor të Rozhajës. Ky vendim i marrë në momentin që jam informuar për këtë rast është i pakthyeshëm. Qëllimi është i qartë, mbrojtja e dinjitetit të Republikës së Kosovës nga çdo përpjekje për mohimin e saj”, ka shkruar ajo.
Gërvalla ka theksuar se Devolli ka regjistruar biznes me adresë serbe dhe ka përhapur propagandë kundër shtetit, duke investuar miliona “për të njollosur imazhin e Kosovës në opinionin publik”.
Devolli qe emëruar Konsull Nderi i Kosovës në Mal të Zi për rrethin konsullor të Rozhajës atë vit.
E ndaj vendimit të ministres në detyrë të Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, ka reaguar Shkëlqim Devolli.
“Unë, Shkëlqim Devolli, jam shtetas i Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi. Kam lindur, jam rritur, punoj dhe jetoj në Pejë. Kur kam marrë nënshtetësinë e Malit të Zi, Kosova nuk e kishte shpallur pavarësinë dhe Mali i Zi nuk e kishte pranuar atë.Dokumentet e mia janë të njëjta, siç i kanë edhe të gjithë qytetarët e Kosovës, të cilët kanë marrë nënshtetësinë e Malit të Zi para se Mali i Zi ta njihte Kosovën si shtet. Ka shtete, të cilat edhe pasi që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës kanë vazhduar që në dokumente zyrtare t’i shkruajnë emërtimet e vendbanimeve të Kosovës si të Serbisë. Këtë e ka bërë edhe shteti i Gjermanisë deri para pak kohësh, edhe pse ka 17 vjet që e ka njohur shtetin e Kosovës", tha ai.























