Mungojnë votat për kryeparlamentarin, seanca shtyhet për të hënën|VIDEO
Edina Avdiu / RTK
Pas dështimit të tretë të përpjekjes së deputetëve për konstituimin e Kuvendit, seanca u ndërpre edhe këtë të shtunë, për të vazhduar brenda 48 orësh.
Por, data e ardhshme kur deputetët pritet të kthehen në sallë, ka rastisur të jetë festë zyrtare. Sipas Institutit të Kosovës për Drejtësi, kjo nuk e pengon vazhdimin e seancës konstituive.
“E kemi këtë përcaktimin ligjor i cili në bazë të rregullores thotë se Kuvendi duhet të mblidhet brenda 48 orëve, por e kemi tash një rast të jashtëzakonshëm, ku duhet të konstituohet Kuvendi me patjetër”, tha Melos Kolshi.
Edhe pse nuk u arrit të votohet kryeparlamentari, seancën e sotme po e shohin si të suksesshme njohës të çështjeve politike, që sipas tyre Kuvendi u zhbllokua me verifikimin e mandateve të deputetëve.
“Kryesore është që është bërë verifikimi i deputetëve, kjo është pritur, nuk është e thënë që kryetari i parlamentit dhe nënkryetarët të zgjidhen në ditën e parë, do të ketë raste tjera, një gjë duhet pasur parasysh, e drejta ekskluzive është e Vetëvendosjes, derisa t’i bëj 61 vota, aktualisht i kanë 57, duhet të negociojnë, qoftë me zotrin Limaj, qofte me pjesëtarë të pakicave që nuk kanë votuar, qoftë me mundësinë që e përmendi zotri Haradinaj”, ka thënë Melazim Koci, njohës i çështjeve politike.
Koci thotë se votimi i emrit të propozuar për kryeparlamentar, nuk mund t'i imponohet askujt, dhe se kjo tashmë është një betejë politike.
“Në demokraci nuk mund të ia imponosh askujt se sit ë votoj dhe kë të votoj, ishte çështje tjetër verifikimi i mandateve, kjo është çështje tjetër tani, këtu kemi të bëjmë me betejë demokratike, me betejë të forcave politike, Vetëvendosje duhet t’i gjej ato vota, në çastin që i gjen, zgjedhjet edhe kryetari edhe nënkryetarët, prandaj duhet kohë”, ka thënë ai.
Në dy votime, Albulena Haxhiu që u propozua për kryeparlamentare mori vetëm nga 57 vota.























