Imzot Dodë Gjergji uron Festën e Pashkëve|VIDEO
A.B|RTKlive
Imzot Dodë Gjergji i ka uruar besimtarët për festën e Pashkëve. Ai para shumë besimtarëve në Meshën në Katedralen “Nënë Tereza”, në Prishtinë , foli për këtë ditë të rëndësishme. Kjo meshë është transmetuar drejtpërdrejtë në Radio Televizionin e Kosovës.
Duke ftuar besimtarët katolikë që këtë festë të madhe ta kremtojnë me lutje për paqe dhe zemrat e mbushura me shpresë dhe gëzim, ipeshkvi Dodë Gjergji bëri thirrje për paqe e pajtim në mbarë botën si një qëllim i përbashkët për të mirën e njerëzimit.
Ai në mesazhin e tij tha se edhe pse kjo Pashkë na gjen në një botë të përgjakur, në një Europë të përçarë dhe në një Kosovë që rënkon nën barrën e papërgjegjësisë politike, pasigurisë për të ardhmen dhe ndarjeve të panevojshme, janë të ftuar të ruajmë qetësinë e shpirtit, shkëlqimin e shpresës dhe ngushëllimin e fesë.
Gjergji ka thënë se Pashkët nuk janë thjesht një datë kalendarike apo një zakon që përsëritet çdo vit, por një ngjarje e gjallë në jetët tona.
Ndryshe të dielën në ditën e Pashkës, në orën 11:00 mbahet meshë në Katedralen ‘Shën Nënë Tereza’.
Ndërsa në orën 19:00 organizohet pritja solemne e Pashkës, e cila do të mbahet në Qendrën “BogdaniPolis” që gjendet nën Katedralen ‘Shën Nënë Tereza’.























