Festivali `Pianisti i Ri 2025`, nis edicionin e 17-të
Sh.G|RTKlive
Këtë vit shënohet edicioni i 17-të i festivalit “Pianisti i Ri 2025”, një festival që tashmë është bërë një ngjarje kulturore e rëndësishme dhe shumë e dashur për artdashësit.
Në programin e mëngjesit në RTK, për të biseduar rreth kësaj ngjarjeje kulturore, ishin të ftuara drejtoresha e këtij festivali, Vlora Baruti, si dhe pianistja Orajën Popa.
“Mund të them që këto 17 vite nuk ishin shumë të lehta, por punuam me kënaqësi për zbulimin e talentëve të rinj. Qëllim kemi pasur që të fokusohemi në seksionin pianistik. Në emër të stafit të festivalit i falënderoj shumë shkollat e muzikës në Kosovë që na kanë përkrahur që nga edicioni i parë. Nga edicioni i pestë, gara ka marrë edhe karakterin ndërkombëtar, pra kemi edhe pianistë nga jashtë që vijnë dhe janë pjesë e festivalit. Mund të them që çdo vit ka risi. Si festival jemi një datë që kemi lindur bashkë me pavarësinë e shtetit tonë dhe për këtë, çdo vit kemi një dedikim për të,” tha Baruti.
Pianistët që marrin pjesë në këtë festival janë nga mosha 4-vjeçare e deri në moshën 21-vjeçare, të ndarë në kategori sipas rregullores së festivalit “Pianisti i Ri”.
“Pianistët janë të përfshirë që nga mosha 4-vjeçare deri në moshën 21, që sipas rregullores ndahen në disa kategori me program të caktuar. Garojnë secili në kategorinë e vet,” tha Baruti.
Orajën Popa, një talent i ri në piano që vjen nga Shqipëria, është fituesi i vitit të kaluar të këtij festivali. Ai shprehet të jetë shumë falënderues për këtë çmim dhe për pjesëmarrjen e tij në shumë aktivitete në Kosovë.























