Zyrtarizohet faza e tretë e bashkëpunimit mes RTK-së dhe JICA-s
Qendresa Duraku/ RTK
Ka nisur faza e tretë e bashkëpunimit në mes të RTK-së dhe Agjencisë Japoneze për Bashkëpunim Ndërkombëtar - JICA, e cila ka për qëllim zhvillimin e mëtejshëm të kapaciteteve të Transmetuesit Publik të Kosovës.
Në takimin e parë për këtë fazë u diskutua mundësia e ofruar nga Komuna e Pejës për funksionalizimin e Zyrës Rajonale të RTK-së në këtë komunë, për çka marrëveshja mes RTK-së dhe Komunës së Pejës pritet të formalizohet në fillim të muajit maj.
Përfaqësuesit e menaxhmentit të Radiotelevizionit të Kosovës, së bashku me përfaqësuesit e Agjencisë Japoneze për Bashkëpunim Ndërkombëtar - JICA, zyrtarizuan takimin e parë të Komitetit të Përbashkët Koordinues të fazës së tretë të bashkëpunimit mes RTK-së dhe JICA-s, e cila ka për qëllim zhvillimin e mëtejshëm të kapaciteteve të Transmetuesit Publik të Kosovës. Qëllimi kryesor i fazës së tretë të bashkëpunimit është hapja e Zyrës Rajonale të RTK-së në Pejë.
Përfaqësuesi kryesor i Zyrës së JICA në Ballkan, Hajime Fukuda, shprehu mirënjohje për RTK-në dhe ekipin e JICA-s për arritjet e deritanishme dhe premtoi mbështetje të vazhdueshme për RTK-në.
“Hapja e zyrës rajonale të RTK-së në Pejë do të ndihmojë jo vetëm në promovimin e rajonit, por do të sigurojë informacion në baza ditore për banorët e atij rajoni. Në këtë projekt, ne kemi ofruar asistencë teknike për të prodhuar dhe transmetuar lajme të pavarura, të sakta, të balancuara dhe të drejta", tha Fukuda.
Ushtruesi i drejtorit të përgjithshëm të RTK-së, Hysen Hundozi, vlerësoi lart kontributin e deritanishëm të JICA-s japoneze për RTK-në, duke theksuar se ndihma e vazhdueshme e JICA-s ka qenë jetike, si në avancimin teknologjik, ashtu edhe në profesionalizimin e mëtejshëm të stafit.
“Që nga fillimi JICA nuk ka qenë vetëm një donator, por një partner i vërtetë dhe i përkushtuar. Me mbi 12 milionë dollarë investime ndërmjet viteve 2000-2002, ata ndihmuan në ngritjen e infrastrukturës bazë, pajisjen e studiove dhe aftësimin e stafit tonë. Mbështetja e tyre ka vazhduar tutje me projekte konkrete ne modernizimin, digjitalizimin dhe zgjerimin e pranisë së RTK-së në rajone të ndryshme të Kosovës. Në këtë fazë, jemi të përkushtuar në arritjen e tri qëllimeve të rëndësishme siç është forcimi i bashkëpunimit ndërmjet komuniteteve etnike ne RTK me qëllim të reflektimit të diversitetit të shoqërisë sonë, hapjes së një zyre të re në Pejë dhe krijimit të programeve që ndërtojnë besim e afërsi me të gjitha komunitetet në vend", tha Hundozi.
Drejtori i Televizionit, Rilind Gërvalla, njëherësh menaxher i projektit në mes të RTK-së dhe JICA-s, vlerësoi ndihmën e Qeverisë Japoneze, përmes JICA-s, për hapjen e zyrës rajonale në Pejë, duke e konsideruar këtë hap tejet të rëndësishëm.
“Me hapjen e zyrës rajonale në Pejë, mbi 40% e territorit të Kosovës do të mbulohet medialisht, me informacione më të shpejta dhe më të sakta. Jeta e banorëve të 6 komunave në këtë pjesë të Dukagjinit do të pasqyrohet më shpesh në Transmetuesin Publik të Kosovës, dhe kjo po ndodh falë mbështetjes së pakursyer të popullit japonez, përmes JICA-s. Ne do të jemi falënderues përjetësisht për kontributin e JICA-s, sepse çdo cep i RTK-së mban vulën e kontributit të jashtëzakonshëm që kjo agjenci japoneze ka dhënë në vazhdimësi për profesionalizimin e stafit të RTK-së dhe për avancimin e pajisjeve teknike të transmetuesit publik”, tha Gërvalla.
Këshilltar i Lartë i JICA, Keiichi Hashimoto, shprehu mirënjohjen për arritjet e deritashme të projektit duke vlerësuar pjesëmarrjen e të gjitha grupeve etnike në procesin e implementimit te fazës së 3-të të bashkëpunimit në mes të RTK-së dhe JICA-s.
Gjithashtu është nënshkruar marrëveshja mes JICA-s dhe RTK-së për themelimin e zyrës rajonale të RTK-së në Pejë. Ndërkohë sot është mbajtur një seminar ku kanë ligjëruar zyrtarë të JICA-s.























