Takohen Barduani e Sorensen, flasin për situatën e sigurisë në rajon
V.S/RTKlive
Komandanti i misionit të KFOR-it, Enrico Barduani, ka pritur sot në takim emisarin e veçantë të BE-së për dialog, Peter Sorensen, i cili po qëndron në Kosovë.
Në këtë vizitë që është e dyta në mandatin e tij si i ngarkuar i BE-së, KFOR-i thotë se u shkëmbyen mendime me komandantin e KFOR-it për zhvillimet dhe situatën e sigurisë në mbarë rajonin.
“Komandanti i KFOR-it nënvizoi përpjekjet e KFOR-it për të siguruar një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë dhe në mbështetje të dialogut të lehtësuar nga BE-ja ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, ku KFOR-i dhe BE-ja veprojnë në koordinim të përhershëm”, thuhet në njoftimin e shpërndarë nga misioni i KFOR-it.
Tutje, bëhet e ditur se Barduani ka theksuar përkushtimin e palëkundur të KFOR-it për të mbështetur të gjitha përpjekjet e komunitetit ndërkombëtar, në dobi të sigurisë së qëndrueshme në mbarë Kosovën dhe stabilitetit rajonal.
“KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij - bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 - për të kontribuar në një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme. KFOR-i punon në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) në rolet e tyre përkatëse si reagues të sigurisë”, përfundon komunikata e lëshuar nga KFOR-i për takimin me Sorensenin.
Aktualisht emisari special i BE-së është në objektin qeveritar ku po zhvillon takim me të ngarkuarin e Kosovës për dialogun Kosovë-Serbi, kryenegociatorin, Besnik Bislimi.























