Ukaj: ‘Dritarja e Marin Shkrelit’, roman me përsiatje të shumta
BKT
Kulturë

Ukaj: ‘Dritarja e Marin Shkrelit’, roman me përsiatje të shumta

K. K. / RTKlive

Romani “Dritarja e Marin Shkrelit” i autorit Ndue Ukaj, i cili është përuruar dy ditë më parë në bibliotekën “Hivzi Sulejmani” në Prishtinë, trajton një temë nga realiteti i Kosovës, një dashuri e ndarë në dysh si pasojë e migrimit.

Autori Ndue Ukaj, përpos për librin e vet, foli edhe për rëndësinë e librit. Ai tha se libri është një formë artistike që i mundëson lexuesit të mos harrojë periudhën e kaluar të vuajtjes.

Në “Mirëmëngjesi Kosovë” në RTK, Ukaj tha se romani shoqërohet me përsiatje të shumta për zhvillimet që e kanë karakterizuar pasluftën në Kosovë, dëshpërimin e madh. Sipas tij, ky roman përpiqet ta ushqejë lexuesin me ndjeshmëri të thella për lirinë.

Ai tregoi se procesin e shkrimit të romanit e ka filluar në vitin 2018, kurse e ka përfunduar një vit pas, “kur e ka edhe zanafillën personazhi i këtij romani, Marin Shkreli, i cili sheh turma njerëzish para ambasadave, ndërkohë në skutat e shtëpisë së vet gjen një ditar të shënimeve të zeza, të cilat fillon t’i shfletojë dhe sheh se ka harruar shumë nga jeta e tij, nga vitet e kaluara”.

“Ai kthehet në vitin 1989, në kohën kur prindërit e tij thonë se shteti po shembet dhe ai e ndien se si po kanoset nga varfëria, mungesa e lirisë dhe sheh si kopshti i dëshirave të tij po digjet dhe në këto trauma ai përpiqet të gjejë kuptimin e ekzistencës së tij”, tregoi Ukaj.

Po ashtu, autori tha se libri përcjellë sekuenca të jetës në Kosovë gjatë atyre viteve, aparteidin kulturor, jetën paralele, mungesën totale të lirisë dhe të mundësisë për ta realizuar imanencën shpirtërore të njeriut, si gjendjen natyrale lirinë e tij, shkollimin paralel, emigrimin e të dashurës të tij të parë e cila shkëputet papritur nga jeta e tij dhe vuajtjet që i shkakton atij.

“Vitet e luftës janë tragjedia e romanit. Marini është student, ka një të dashur, por e dashura e tij përdhunohet. Ky emigron në Amerikë, pastaj bën përpjekje të rikthehet në normalitetin e jetës”, shtoi Ukaj.


MË SHUME NGA Kulturë