Abdixhiku: Komuna e Prishtinës, i dha përgjigje dinjitoze bllokuesve
G.K/RTKlive
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka reaguar për nisjen e punimeve në Sheshin “Xhorxh Bush” në Prishtinë. Ai tha se Komuna e Prishtinës ka dhënë një përgjigje dinjitoze ndaj "bllokuesve të punës".
Abdixhiku akuzoi disa komisione dhe individë për pengimin e projekteve të rëndësishme, duke i quajtur ata "bllokues të shtetit dhe të punës". Ai shtoi se disa bllokada janë bërë nën pretekstin e mbrojtjes së trashëgimisë, por e cilësoi këtë si arsyetim të pabazuar.
“Sot, Komuna e Prishtinës, i dha përgjigje dinjitoze bllokuesve të punës. Vazhdoj me punë! Një Komision, diku në një Ministri, me një a dy inspektorë partiak e idhnakë, vendosë të bllokojë një Kryeqytet të tanë, me arsyet e mbrojtjes së trashëgimisë. Trashëgimi ky asfallt gërmadhë?! Punimet vazhduan! Nuk do të ndalen! Ai që ka mend punën nuk ndalet. Prishtina, nuk ndalet!”, shkroi ai në Facebook.
Abdixhiku theksoi se për tri vjet ka pasur bllokadë në vazhdimësi në kryeqytet.
“Të paaftit dinë vetëm bllokadë! Për tre vite rresht kanë bllokuar në vazhdimësi Sheshin George Bush për një trashëgimi, mbikalimin në Dragodan po ashtu për trashëgimi; nënkalimin te Kuvendi sërish dhe natyrisht për trashëgimi. Kanë bllokuar Rrugën A për një rast të humbur në fund në gjykatë; Unazën e Jashtme me mos aprovim të një kredie pothuajse falë; Planin Zhvillimor Komunal me interesa të përçudnuara bizneso-partiake, e tatimet vetanake me ligje anti-kushtetuese!”, ka shtuar ai, derisa tha se “duhesh të jesh vërtet i mbrapshtë për një sjellje të tillë”.
“Duhesh të urresh shumë një qytet të tërë për ta bllokuar kaq shumë! Prishtina do të fitojë. Edhe tash, edhe në vjeshtë! Puna le të vazhdojë! Puna, do të vazhdojë! Kjo gërmadhë shpejtë do të shndërrohet në një ndër sheshet më ikonike në vend!”, tha ai.























