Çeku: Shkeljet ligjore do t`i kushtojnë rëndë buxhetit të kryeqytetit
BKT
Lajme

Çeku: Shkeljet ligjore do t`i kushtojnë rëndë buxhetit të kryeqytetit

G.K/RTKlive

Ministri në detyrë i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ka reaguar pas nisjes së punimeve në sheshin “Xhorxh Bush” në Prishtinë, duke akuzuar kryetarin e Komunës, Përparim Rama, dhe kreun e LDK-së, Lumir Abdixhiku, për keqqeverisje dhe shkelje ligjore.

“Sa herë që Përparimi e bën fort bërllog punën, në ndihmë i vjen Lumiri. E para, sepse janë bashkë në marifetet e tyre të kundërligjshme, dhe e dyta, sepse e kanë nisur fushatën për Prishtinën, po e përgatisin mashtrimin e radhës. Por, ka një arsye edhe më të madhe. Në fakt, Lumiri është duke e mbrojtur veten. Sepse ishte ai që para afër katër vitesh e solli arkitektin nga Londra dhe u tha qytetarëve të Prishtinës votojeni sepse ky do ta zhvillojë kryeqytetin,” tha Çeku.

Sipas tij, “dështimi spektakolar i qeverisjes në Prishtinë, në fakt, është dështim i Lumirit. Dhe pafytyrësia në këtë rast po merr dimension të ri. Në vend që të turpërohet nga kjo, ai mbron paligjshmëritë dhe paralajmëron vazhdimësi të keqqeverisjes edhe për një mandat.”

Ministri e quajti “përrallë elektorale” deklarimin e LDK-së për punimet e penguara nga qeveria:
“Përralla elektorale e Lumir-Përparimit është kjo: nuk arritëm të bëjmë ndonjë punë të vlefshme për katër vite, por fajet i ka qeveria. Me shumë zhurmues të sponsorizuar po mendojnë që qytetarët do ta besojnë përrallën. Mbrojtjen e ligjshmërisë po tentojnë ta shesin si bllokadë politike.”

Çeku tha se nuk do të ketë lëshime në raport me ligjin dhe buxhetin publik. “Ne nuk do të heqim dorë për asnjë çmim nga mbrojtja e ligjshmërisë; as nuk e kemi këtë të drejtë. Të gjitha provat për shkelje ligjore dhe keqpërdorim të buxhetit të shtetit nga komuna i kemi dorëzuar në institucionet e drejtësisë. Çdo vonesë për t’i adresuar këto shkelje do t’i kushtojë rëndë buxhetit e kryeqytetit.”

Ai gjithashtu theksoi se komuna nuk ka respektuar obligimet ligjore për leje në zonat e mbrojtura. “Për të gjithë propagandistët, dua të bëj një sqarim. Ligji parasheh që për investime brenda zonave të mbrojtura, duhet të merret edhe pëlqimi i autoriteteve të trashëgimisë kulturore. Këtij detyrimi ligjor i nënshtrohen të gjithë, edhe komunat e institucionet e tjera, përfshi vet Ministrinë e Kulturës për investimet e saj.”

Ai solli në vëmendje edhe shembullin e sallës koncertale: “Kur komuna e Prishtinës e ka respektuar ligjin dhe procedurën, p.sh. në projektin e sallës koncertale, përveç që i është dhënë pëlqimi, si ministri kemi ndarë edhe dhjetë milionë euro buxhet si mbështetje për komunën.”

Çeku tha se në katër vitet e fundit, ministria ka investuar në infrastrukturën kulturore dhe sportive në Prishtinë, ndërsa disa projekte janë ende në pritje të ndarjes së tokës nga komuna.

“Ne jemi për zhvillimin e Prishtinës, ne duam dhe mbështesim projektet që e rrisin mirëqenien e qytetarit. E vetmja kërkesë e jona është të respektohen ligjet e procedurat. Pse duhet të jetë kaq e vështirë përmbushja e detyrimeve ligjore?” përfundoi ministri Çeku.


MË SHUME NGA Lajme