Në kujtim të Ali Lajçit, Kurti: Letra nga burgu, testament politik
G.K/RTKlive
Në përvjetorin e parë të vdekjes së veprimtarit dhe ish-deputetit Ali Lajçi, sot në Prishtinë u mbajt një ceremoni përkujtimore ku mori pjesë edhe Kryeministri në detyrë, Albin Kurti. Ai e vlerësoi Lajçin si një figurë të rëndësishme të brezit të vitit ’81, duke e kujtuar për angazhimin e tij politik, dënimin me 15 vite burg dhe letrën historike të vitit 1985, të cilën Kurti e cilësoi si “testament politik i shkruar më i rëndësishëm i brezit të vitit ’81”.
“Ja ku u bë një vit nga vdekja e Ali Lajçit, veprimtarit shqiptar, politikanit aktiv që u nda nga ne më 28 prill 2024”, tha Kurti në hyrje të fjalës së tij, duke e përshkruar Lajçin si një ndër figurat më të shquara të kohës së demonstratave të vitit 1981. Për këtë angazhim, ai u dënua me 15 vite burg, prej të cilave i vuajti 10.
Kryeministri veçoi letrën e famshme të hartuar në burg më 8 mars 1985, ku Ali Lajçi, së bashku me Hydajet Hysenin, Zijah Shemsiun, Bajram Kosumin dhe Gani Kocin, deklaruan se “Ngjarjet në Kosovë nuk janë kundërrevolucion”. Letrën Kurti e cilësoi si një dokument të jashtëzakonshëm të kohës:
“Letra që mund të lexohet gati edhe si një traktat emblematik i kohës, testament politik i shkruar më i rëndësishëm i brezit të vitit ’81.”
Ai kujtoi gjithashtu faktin se 23 vite pas nënshkrimit të kësaj letre, katër nga pesë firmëtarët e saj nënshkruan edhe Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës më 2008, duke nënvizuar vijimësinë e përkushtimit të tyre politik.
Në vijim të fjalës, Kurti evokoi edhe angazhimin institucional të Ali Lajçit pas luftës, si Kryetar i Komunës së Pejës (2001–2007) dhe më vonë si deputet në Kuvendin e Kosovës, ku bashkëpunoi me të në kuadër të Lëvizjes Vetëvendosje.
“Përvoja e gjatë dhe aq e pasur nga angazhimi i tij politik, ishte shumë e dukshme tek ai, kurse shumë e dobishme për ne që e kishim bashkëpunëtor edhe përtej të qenët kolegë në institucionet e shtetit,” theksoi Kurti, duke shtuar se ndihet “falënderues e mirënjohës përjetë.”
Në fund, Kurti përkujtoi edhe një tjetër figurë të rëndësishme të asaj kohe, Zijah Shemsiun, duke theksuar se më 5 maj 2025 mbushen 40 vite nga vrasja e tij në burg, ngjarje që, sipas kryeministrit, dëshmon për çmimin e lartë që brezi i vitit ’81 pagoi për lirinë.
























