Albulena Haxhiu sërish nuk i merr votat e mjaftueshme për kryeparlamentare
V.S & A.B| RTKlive
(E plotësuar, ora 10:30) Edhe sot ka dështuar përpjekja tjetër për konstituimin e Kuvendit të Kosovës. Në sallë ishin 110 deputetë. Vetëm 54 vota kanë qenë sërish për Albulena Haxhiun për kryeparlamentare që mbetet emri i vetëm që Vetëvendosje do të që jetë në krye të Kuvendit. 44 deputetë kanë votuar kundër, ndërkaq 3 kanë abstenuar. Kryesuesi Avni Dehari, tha se seanca mbahet me 1 maj në ora 10:00.
Vetëvendosje dhe partitë tjera të opozitës nuk kanë lëvizur nga qëndrimi i tyre
As Vetëvendosje as partitë tjera të opozitës nuk kanë lëvizur nga qëndrimi i tyre, duke bërë kështu që Kuvendi të shkojë edhe në një 48 orësh tjetër ndërprerjeje deri në tentimin e nëntë, kur pritet të bëhet të enjten e 1 majit.
Ndonëse ish-kryeparlamentari, deputeti i Vetëvendosjes u kërkoi ligjvënësve të rinj votë për Haxhiun, të paktën një, në mungesë të Nezir Krakit, që sot nuk ishte në sallën e mbledhjeve plenare, kjo nuk kërkesë nuk mori mbështetjen e ligjvënësve opozitarë.
“Po më vjen mirë që e kam marr epitetin e një propozuesi stabil. Neve sot na mungon një deputet, Nezir Kraki. Nëse si opozitë mundeni të na huazoni një, ju kisha falënderuar shumë. Propozimi ynë është, Albulena Haxhiu”, tha Konjufca gjatë propozimit të tij në foltore.
Por, kur u numëruan votat, aty nuk u mungoi vetëm një, por dolën 54 për, ndryshe nga herë të tjera kur kishte arritur t’i kishte 57.
Pas ndërprerjes së seancën nga kryesuesi, me të dalë nga Kuvendi, kryeministri në detyrë Albin Kurti sërish nuk i është përgjigjur pyetjes së gazetarëve.
Por, në emër të Vetëvendosjes më herët foli Hekuran Murati që tha se ata nuk janë bllokuesit, por ata që po votojnë kundër.
Madje tha se si Vetëvendosje kanë kërkuar konsensus politik që emri i kryetares e nënkryetarëve të shkojë në pako.
“Nëse insistohet në këtë situatë nga opozita, është paradoks dhe situatë nga e cila nuk mund të dal Kuvendi. Pra, është bllokadë që mund të shkoj në pafundësi dhe rezultati tjetër, skenari i fundit zgjedhjet e reja një proces legjitimimi, për të cilin kemi thënë edhe më herët ne nuk jemi të interesuar”, tha ai.
Ndërkohë, kreu i PDK-së Memli Krasniqi tha se demokracia funksionon me shumicë, jo me imponim. “Institucionet janë të popullit, të asnjë partie politike të veçantë”, deklaro ai, pas dështimit të radhës të konstituimit të Kuvendit të Kosovës.
LDK-ja ndërkaq tha se njohin të drejtën e të parit për të propozuar, por kjo, sipas tyre, nuk do të thotë se e bartin të drejtën e votës tek një subjekt tjetër. “Pengmarrja e institucioneve nga LVV-ja po i kushton qytetarëve, ata po përballen me probleme të ndryshme e askush ato nuk po i adreson”, tha shefja e deputetëve të LDK-së, Hykmete Bajrami.
Kreu i NISMA-s, Fatmir Limaj ndërkaq ka thënë se për votimin e kryekuvendarit duhet bërë marrëveshje politike sikurse në vitin 2014 dhe 2017, në mënyrë që të sigurohet shumica parlamentare.
Ndërkaq kreu i AAK-së Ramush Haradinaj, i pyetur nëse do të pranonte një takim partiak me Lëvizjen Vetëvendosje, ai ka mohuar prezencën e tij.
“Personalisht jo, por zonja Time Kadrijaj që është nënkryetare e Aleancës, ka autorizim nga unë dhe kryesia që të konsultohet me zotin Deharin. Takim partiak jo, nuk e vlerësojmë”, ka thënë ai.
LIVE| Filloi seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës
(E plotësuar, ora 10:25) Ka filluar seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës.
LIVE|Vazhdimi i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës
(E plotësuar, ora 10:21) Deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës kanë arritur në Kuvend, ku për pak do të fillojë seanca.
Deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës sot me fillim nga ora 10:00 do të mblidhen sërish sot për të vijuar punimet e seancës konstituive të Legjislaturës së nëntë, ku në rend ditë janë: zgjedhja e kryetarit dhe të nënkryetarëve të Kuvendit të Kosovës.
Ndryshe edhe të dielën nën drejtimin e kryesuesit Avni Dehari, Kuvendi i Republikës së Kosovës u mblodh për të vijuar me punimet e seancës konstituive të Legjislaturës së Nëntë.
Deputeti Glauk Konjufca nga Lëvizja Vetëvendosje propozoi sërish deputeten Albulena Haxhiu për kryetare të Kuvendit. Pas procedurës së votimit kryesuesi Dehari konstatoi se me 57 vota për, 41 kundër dhe tri abstenime, kandidatja e propozuar nuk ka marrë votat e mjaftueshme, andaj seanca u ndërpre.
Dy taborret politike akuzuan njëra tjetrën për dështim të seancës.
RTK me fillim nga ora 09:45 do të sjellë një emision special dedikuar zhvillimeve të fundit politike në vend.























