MKRS: Kryetari i Prishtinës, po dezinformon
Sh.Ç /RTKlive
(E plotësuar, ora 22:20) Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka reaguar ndaj deklaratës së kryetarit të Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, i cili ka akuzuar Qeverinë për ndërhyrje të paarsyeshme dhe pengim politik të projekteve në kryeqytet, pas ndërprerjes së përsëritur të punimeve në sheshin “Xhorxh Bush”.
Sipas MKRS-së, Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prishtinë ka raportuar më 28 prill 2025 se punimet ishin duke u zhvilluar jashtë kufijve të zonës së mbrojtur të Qendrës Historike, dhe për rrjedhojë atë ditë nuk kishte masa ndalimi nga Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore.
Nënkryetari i Komunës kishte deklaruar publikisht se nuk do të punohej pa leje në zonat e mbrojtura, duke dhënë garanci për respektim të ligjit në të ardhmen.
Megjithatë, Ministria bën të ditur se ky zotim nuk ka zgjatur më shumë se 24 orë. Sot, Inspektorët kanë konstatuar se Komuna ka tejkaluar kufijtë ligjorë dhe ka ndërhyrë në zonë pa lejen e nevojshme. Për këtë arsye, punimet janë ndaluar sërish.
MKRS thekson se çështja nuk ka të bëjë me ndërtim asfalti, por me respektimin e ligjit.
Institucionet e trashëgimisë, do të vazhdojnë të ushtrojnë detyrat e tyre ligjore. Ndalimi i punimeve pa leje do të zbatohet njësoj ndaj të gjitha palëve, qofshin ato biznese, organizata, bashkësi fetare apo institucione shtetërore. Ministria përfundon me thirrjen: “Pajisuni me leje dhe punoni. Pa leje, mos filloni”, thuhet në postim.
Ndalen punimet në sheshin `Xhorxh Bush` në Prishtinë, reagon Rama
Policia e Kosovës, duke asistuar Inspektoratin e Trashëgimisë Kulturore, ka ndalur punimet në sheshin “Xhorxh Bush” të martën pasdite. Është hera e tretë që punimet për projektin 18.4 milionë euro ndalen nga organet e trashëgimisë kulturore.
Për këtë veprim ka reaguar kryetari i Prishtinës, Përparim Rama.
Rama përmes Facebook-ut ju ka drejtuar qytetarëve të kryeqytetit, duke thënë se “gjysma e asfaltit qenka trashëgimi kulturore, gjysma tjetër e asfaltit jo!”.
"Me këtë arsyetim i paskan dërgu sot - për me i ndalu punimet në sheshin “Xhorxh Bush”, ka thënë ai.
Sipas tij, institucionet po veprojnë pa bazë ligjore dhe po pengojnë punimet për arsye politike.
“Me presion nga ministri i Punëve të Brendshme, me presion nga ministri i Kulturës, i detyrojnë dhe i shfrytëzojnë policinë që ta ndërprerjen punimet. Punimet të cilat thonë se kjo, gjysma e rrugës anej qenka e mbrojtur, ndërsa gjysma e rrugës nuk qenka e mbrojtur edhe ne mundemi me vbazhdu vetëm në këtë anë anë dhe jo në atë anë, sepse ky asfalt është i mbrojtur. Pra e shfrytëzon kjo qeveri në ikje të gjitha instancat në mënyrë jo ligjore, sepse nuk kanë asnjëp bazë ligjore, asnjë dokument ligjore me ndërpre këtë punë, dhe ja që e ndërprejnë edhe nuk ia u nin që humbin kohë, për qytetarët”, ka thënë ai”, theksoi ai.
Kryetari i Prishtinës theksoi se do të vazhdojnë me realizimin e projektit dhe paralajmëroi kallëzime penale për të gjithë ata që, sipas tij, po e pengojnë zhvillimin e kryeqytetit.
Komuna e Prishtinës ende nuk ka siguruar lejen nga Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve (IKMM) për projektin e sheshit “Xhorxh Bush”.























