Cakolli tregon sa do të paguhen deputetët, për seancat e dështuara
V.Th / RTKLive
Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës, përmes një postimi në Facebook, ka treguar se sa do të paguhen deputetët e Kuvendit të Kosovës për muajin prill, pavarësisht që ende nuk është bërë konstituimi i legjislaturës së re.
Cakolli ka thënë se që nga momenti i dhënies së betimit më 19 prill e deri më sot, janë mbajtur 6 seanca të Kuvendit.
“Këto seanca kanë zgjatur në total vetëm 39 minuta e 18 sekonda – apo 2,358 sekonda”, ka shkruar Cakolli në Facebook.
Ai ka thënë se “për këtë ‘angazhim’, secili deputet do të marrë rreth 750€ pagë bruto. Kjo do të thotë se, secila minutë efektive e deputetit do t’i kushtojë taksapaguesve 18.93€, ndërsa çdo sekondë – 0.32€”.
“Për krahasim: Me 2 sekonda punë, një deputet fiton aq sa një qytetar paguan për një bukë (me çmimin e ri); Me 6 sekonda, fiton aq sa kushton një makiato me çmim të rritur në Prishtinë; Me 18 minuta punë, fiton aq sa është paga minimale në Kosovë”, ka shkruar ai.























