Situata me sheshin ‘Xhorxh Bush’, KKTK thirrje për gjetjen e zgjidhjes
V.S|RTKlive
Derisa një ditë më parë mes tensionesh u ndalën sërish punimet që komuna i rinisi në sheshin “Xhorxh Bush” në Prishtinë, nga Inspektorati për Trashëgimi Kulturore që funksionon në kuadër të Ministrisë së Kulturës, Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore thotë se po i përcjell me shqetësim dhe me vëmendje të veçantë zhvillimet rreth punimeve në këtë shesh.
Ky këshill u ka bërë thirrje institucioneve që të punojnë bashkërisht në gjetjen e zgjidhjes më të mirë për të dalë nga ky ngërç.
“KKTK thekson se ruajtja e aseteve të trashëgimisë kulturore duhet të jetë në qendër të vëmendjes së politikave zhvillimore të qytetit, dhe se rregullimi dhe transformimi i hapësirave publike nuk duhet ta tjetërsojë identitetin dhe funksionalitetin e tyre. Po ashtu, KKTK-ja pret nga institucionet që të jenë shembull i respektimit të Ligjit për Trashëgimi Kulturore”, thuhet ndër të tjera në reagimin e Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore.























