Shpërthim në veturën e u.d drejtorit të QKUK-së, SHSKUK e shqetësuar
BKT
Lajme

Shpërthim në veturën e u.d drejtorit të QKUK-së, SHSKUK e shqetësuar

V.S|RTKlive

Një shpërthim ka ndodhur sot në veturën private të ushtruesit të detyrës së drejtorit të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), Osman Hajdari. Ngjarja ka ndodhur në parkingun e administratës brenda hapësirave të QKUK-së, në rrethana ende të paqarta.

Lajmin e ka bërë të ditur Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës (SHSKUK), duke njoftuar se incidenti ka ndodhur në kohën kur po bëheshin përgatitjet për mbledhjen e rregullt të Bordit Drejtues të SHSKUK-së.

“Sot, në parkingun e administratës së Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ka ndodhur një incident që përfshin dëmtimin e veturës private të ushtruesit të detyrës së drejtorit të QKUK-së, e parkuar në parkingun e administratës. Dëmtimi ka ndodhur në rrethana ende të panjohura, në kohën kur po bëheshin përgatitjet për fillimin e mbledhjes së rregullt të Bordit Drejtues të Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK), e cila ishte paraparë të mbahej në hapësirat e administratës qendrore të SHSKUK-së”, thuhet në njoftimin e institucionit.

SHSKUK ka bërë të ditur se menjëherë pas incidentit janë njoftuar organet kompetente, përfshirë Policinë e Kosovës, e cila ka nisur procedurat hetimore për të sqaruar ngjarjen. Ky institucion ka shprehur shqetësim dhe keqardhje për rastin, duke ofruar bashkëpunim të plotë me autoritetet përkatëse.

Policia e Kosovës e ka konfirmuar rastin për RTKlive përmes zëdhënëses Flora Ahmeti: “Rreth orës 10:00, është pranuar informata lidhur me dyshimet për një shpërthim në një veturë në parkingun e QKUK-së. Aktualisht nuk raportohet për të lënduar përveç dëmeve materiale. Policia me të gjitha njësitë relevante ka dalë në vendin e ngjarjes dhe po trajton rrethanat që karakterizojnë ngjarjen.”

Gazetarja e RTK-së, Edonë Podvorica, që gjendet në vendin e ngjarjes, raporton se hapësira përreth është lokalizuar, ndërsa është vendosur perimetri i sigurisë. Forca të shtuara policore po kryejnë hetime në terren.

Sipas saj, në vendin e ngjarjes është parë edhe Osman Hajdari, i cili ka folur shkurt për mediat por prapa kamerave.

"Kam dalë në punë si çdo ditë tjetër dhe nuk kam asnjë obligim ndaj askujt", ka deklaruar ai.


MË SHUME NGA Lajme