SBASHK-u: 1 Maji - Ditë e Punëtorëve, por jo e të drejtave të tyre
K. K. / RTKlive
Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), ka thënë se Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve, 1 Maji, është Ditë e Punëtorëve, por jo e të drejtave të tyre në Kosovë. Sipas SBASHK-ut, 1 Maji simbolizon përpjekjet, sakrificat dhe kontributin e punonjësve anembanë botës por, në Kosovë, kjo ditë për shumicën e të punësuarve nuk është ditë feste, por ditë zhgënjimi, padrejtësie dhe vazhdimësie të shkeljeve të të drejtave themelore.
Në një komunikatë të gjatë për medie, SBASHK-u ka shkruar se në vitin e kaluar, bashkë me mijëra punëtorë të arsimit dhe të sektorëve të ndryshëm, ka organizuar një marsh të madh protestues në Prishtinë, duke kërkuar respektimin e të drejtave, funksionalizimin e dialogut social dhe nënshkrimin e marrëveshjeve që burojnë nga ligji dhe e drejta ndërkombëtare e punës.
“Qeveria e Kosovës zgjodhi injorimin. Më 1 Maj 2025 Kosova është përballë një qeverie në largim dhe institucioneve në ngërç, që jo vetëm nuk kanë ofruar zgjidhje, por kanë shtuar krizën. Në vend të përgjegjësisë ndaj qytetarëve dhe punëtorëve, kemi parë përpjekje për bllokim të institucioneve të reja dhe heshtje të zërit sindikal”, thuhet në komunikatën e SBASHK-ut.
Ndër të tjera, në komunikatë bëhet me dije se punëtorët e arsimit kanë arsye më shumë se kurrë për të protestuar, pasi që, sipas SBASHK-ut: “Këshilli Ekonomik Social nuk është funksionalizuar tash e tri vjet, çka përbën një shkelje të rëndë institucionale; Marrëveshja e Përgjithshme Kolektive nuk është nënshkruar tash e më tepër se katër vjet, duke lënë pa mbrojtje kolektive mijëra punëtorë; Kontratat Kolektive Sektoriale injorohen nga Ministria e Arsimit dhe ajo e Shëndetësisë përmes tërheqjes së njëanshme dhe arrogante nga dialogu; Kontratat ekzistuese nuk zbatohen, duke i detyruar punëtorët që t’i kërkojnë të drejtat përmes gjykatave – një proces i gjatë, i lodhshëm dhe i padrejtë; Përfaqësimi i punëtorëve në bordet institucionale është uzurpuar nga persona që nuk kanë legjitimitet sindikal, por që shërbejnë për interesat e pushtetit”.
Prandaj, ka njoftuar SBASHK-u, “nuk mund të heshtim as për kolegët tanë në polici të cilëve nuk u kompensohen orët e tepërta të punës, për punonjësit e administratës publike që mbahen peng me kontrata afatshkurtra, për punëtorët e sektorit privat që trajtohen si numra pa dinjitet e pa zë. Në këto kushte, arsyet për marshim janë më të fuqishme se kurrë. Por kujt t’i drejtohesh kur pushteti nuk dëgjon, kur institucioni që do të duhej të jetë partnere në dialog është në largim, dhe kur pasiguria institucionale shërben si mburojë për mosveprim?”, thuhet, ndër të tjera, në komunikatën e SBASHK-ut, e cila u ka bërë thirrje të gjithë punëtorëve të Kosovës të qëndrojnë të bashkuar.
“Të drejtat nuk dhurohen, ato fitohen me unitet, me këmbëngulje dhe me rezistencë. Edhe kur institucionet heshtin, ne do të flasim. Edhe kur qeveritë ndërrohen, kërkesat tona mbeten”, ka shkruar SBASHK-u në komunikatë.
Po ashtu, SBAShK-u ka bërë të ditur se në këtë 1 maj nuk do të marshojnë, por ka thënë se nuk dorëzohen.
“Kërkojmë që qeveria e re, çfarëdo përbërje që të ketë, ta ketë të qartë: punëtori kosovar nuk do të vazhdojë të injorohet. SBASHK-u është dhe do të mbetet në vijë të parë për mbrojtjen e të drejtave të të gjithë punëtorëve në Kosovë”, thuhet ndër të tjera.
“Edhe pse, nuk festojmë e nuk protestojmë për këtë 1 Maj, ne kujtojmë me dhimbje ata që humbën jetën në vendin e tyre të punës, viktima të një shteti që nuk mbrojti jetën e tyre, ku mungesa e ligjit, e mjeteve mbrojtëse dhe e dinjitetit në punë i bëri punëtorët të paguajnë me jetë. Qeveri, mjaft me heshtje! Drejtësia për ta, është detyrimi yt sot!”, përfundon komunikata.























