Murtezaj i bën thirrje lidershipit të LDK-së ta pranojë ftesën e Kurtit
A.B|RTKlive
Valon Murtezaj, anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të Lidhjes Demokratike të Kosovës, i ka bërë thirrje udhëheqjes së LDK-së që t’i përgjigjen pozitivisht ftesës së kryetarit të Vetëvendosjes, Albin Kurti, për takim.
"Si një anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të Lidhjes Demokratike të Kosovës, i bëj thirrje udhëheqjes së LDK-së t’i përgjigjen pozitivisht ftesës për takim nesër. Në politikë, dhe në situata krize, kur Republika e Kosovës nuk ka Kuvend aktiv, dhe as Qeveri aktive, pjesëmarrja në tryezë diskutimi, pa hyrë në asnjë lloj paragjykimi, është vlerë demokratike dhe lidership", ka shkruar ai në Facebook.
Sipas tij, Kosova është shtet i ri dhe është esenciale që dialogu mes palëve të ndryshme, të shmang thellimet e krizave.
"Pjesëmarrja në tavolina diskutimi nuk është dobësi, përkundrazi, promovon vlerat demokratike dhe ndihmon në ndërtimin e një konsensusi për çështje komplekse dhe të rëndësishme për Kosovën dhe qytetarët e saj", tha ai.























