Ndërpritet seanca konstituive e Kuvendit, vazhdon të shtunën/Video
BKT
Lajme

Ndërpritet seanca konstituive e Kuvendit, vazhdon të shtunën/Video

V.S&Sh.Ç/RTKlive

(E plotësuar, ora 11:11) Ka dështuar për herë të nëntë seanca konstituive. Kryesuesi i seancës, deputeti i LVV-së Avni Dehari, ka propozuar që këtë herë votimi për kryeparlamentarin të bëhet i fshehtë. Kjo është kundërshtuar nga partitë parlamentare, Kjo është kundërshtuar nga partitë tjera si, PDK, LDK, koalicioni AAK-Nisma Socialdemokrate, si dhe Lista Serbe, përveç LVV-së.

Me votim të fshehtë ka provuar Lëvizja Vetëvendosje që të konstituojë Kuvendin e Kosovës, në tentimin e nëntë, por as kjo formë nuk arriti të kishte miratimin e deputetëve, meqë komisioni i cili do të qonte përpara këtë proces, nuk mori votat e mjaftueshme të deputetëve.

Nga 110 deputetë prezentë, vetëm 55 deputetë votuan, 54 për dhe 1 kundër.

PDK,LDK dhe AAK e kanë kundërshtuar duke thënë se nëse procedohet tutje do t’a dërgojnë në kushtetuese.

Meqë nuk pati vota të mjaftueshme as për të mandatuar komisionin i cili do të merrej me votimin e fshehtë, kryesuesi Dehari e ndërpreu seancën, duke e caktuar takimin për të shtunën nga ora 10:00.

Murati: Aktgjykimi i Kushtetueses na mundëson që të ketë edhe votim të fshehtë

Deputeti i LVV-së, Hekuran Murati, ka thënë se propozimi për votim të fshehtë nuk është shkelje e Kushtetutës, siç po pretendojnë PDK, LDK dhe AAK.

“Siç edhe patë, është e qartë se kush po bllokon. PDK-ja, LDK-ja, Lista Serbe dhe AAK-ja u deklaruan kundër zhbllokimit të konstituimit të Kuvendit. Sipas aktgjykimit të Kushtetueses të vitit 2014 paragrafi 124, mundësohet që votimi të jetë i hapur, i fshehtë apo çfarëdo forme në mënyrë që të konstituiohet Kuvendi, synimi është konstituimi, jo bllokimi. Kushtetuesja ka paraparë se secila formë e votimit mund të përdoret. Edhe në pajtim me këshillën e presidentes, është në përgjegjësinë e deputetëve të gjejnë rrugë për zhbllokim dhe jo si të bllokohet. Shihet qartë që s’ka vullnet”, ka thënë Murati.

Kusari-Lila: Koalicioni i PDK-së, LDK-së AAK-së e Listës Serbe, ende funksional

Kryetarja e Alternativës, parti që është në koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje, Mimoza Kusari Lila ka thënë se janë të qarta argumentet se kush po e bllokon konstituimin e Kuvendit.

“Janë të qarta dy argumente shumë të forta. Partitë e opozitës në asnjë formë nuk po kërkojnë zgjidhje, po duan të mbajnë këtë bllokadë. E dyta koalicioni i tyre, apo marrëveshja dhe dakordimi i PDK-së, LDK-së AAK-së e Listës Serbe është ende funksional”, tha para gazetarëve ajo.

Tutje, Kusari-Lila tha se në formën e prezantimit të argumenteve se kinse kryesuesi nuk ka të drejtë të ndërrojë formën e votimit, me deklarimin se ashtë antikushtetuese në asnjë argumentim nuk u përmend neni i Kushtetutës apo Rregullores së Kuvendit që e parandalon votimin e fshehtë.

“Në të kundërtën votimi i fshehtë parashihet e sidomos bazuar edhe në udhëzimin e aktgjykimit të Kushtetueses”, tha Kusari-Lila.

Krasniqi: Kurti vazhdon talljen me Haxhiun edhe me qytetarët

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë se propozimi i VV-së për votim të fshehtë për kryeparlamentar është e paligjshme dhe jokushtetuese.

“Nuk bëhet kjo punë, nuk mundet të ndodhë, ka kuptim votimi i fshehtë kur ka dy kandidatë, por në këtë rast nuk vlen. Frika e tyre, edhe këta duhet të kuptojnë që po bëhen horë. Po i futin në avancuara jo kushtetuese të përçudnuara. 55 vota i kanë, as 57 që i kanë pasur më herët nuk i kanë. Nuk kalon Albulena Haxhiu këtë e di Kurti, e di secili deputet, çdo qytetar tashmë, çdo votues i LVV. Nise nuk e dinë ua them dhe njëherë. Nuk kalon Albulena Haxhiu, pikë. Nëse dëshiron të mbajë të bllokuar shtetin, për shkak të Albulenës le ta shpjegojë çfarë borxhi i ka, por qytetarët nuk i kanë borxh Albin Kurtit për ta mbajtur të bllokuar vendin se është tekë ta bëjë një shoqe kryetare të Kuvendit”, ka theksuar Krasniqi.

Bajrami: Po shkojmë drejtë zgjedhjeve të reja

E deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami ka thënë se pos dështimeve sot u bë edhe një shkelje tjetër kushtetuese me arbitraritet, në një proces votimi që tashmë ka filluar dhe ka një kohë të gjatë u tentua të ndryshohet mënyra e votimit.

“Në fakt Rregullorja e Kuvendit përcakton mënyrat e votimit, mirëpo kjo përcaktohet në fillim të procesit. Asnjëherë në histori të institucioneve të Republikës së Kosovës nuk ka ndodhur që të ndryshohet procesi, dhe është shkelje nëse mënyra e votimit ndryshohet pasi ka filluar procesi. Neve na vjen keq që institucionet nuk po konstituohen. Qytetarët e këtij vendi, në veçanti votuesit e LVV duhet ta dinë që po shkojmë drejt një procesi të zgjedhjeve dhe po shkojmë në zgjedhje jo sepse si parti politike atje në sallë nuk po pajtohemi se si ta adresojmë inflacionin, si ta luftojmë mafinë energjetike, për mënyrën e arsimit si të ecë përpara, për papunësinë, por sepse partia fituese që ka 48 ulëse e ka një problem dhe vetëm një të vetëm, ata kanë reduktuar problemet e qytetarëve në emrin e Albulena Haxhiut. Me votat e LDK ajo nuk do të bëhet kryetare as edhe pas një procesi zgjedhor. Ju e patë që e thash se këtyre u dështoi edhe formimi i një komisioni, natyrisht nëse do të kishte pasur votim të fshehtë ne do e kishim një vendim si rezultat i atij vendimi dhe natyrisht do e kishim dërguar, tash nuk ka subjekt për ta dërguar sepse nga partitë parlamentare nuk u përkrah një proces i tillë e votimi dështoi”, ka thënë ajo.

Kadrijaj: Lëvizja Vetëvendosje është dashur të sigurojë 61 vota

Deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, ka thënë se Kosova po mbahet peng për emrin e Albulena Haxhiut. Sipas saj, AAK-ja ka propozuar emra të tjerë për kryeparlamentar por që VV-ja nuk po do të dalë nga ngërçi.

“E patë rrjedhën e zhvillimeve në seancë. Duke qenë deputete për shumë mandate asnjëherë gjatë konstituimit nuk ka ndodhur një formë e tillë votimi apo tendencë për të bërë cirk në Kuvendin e Kosovës. Lëvizja Vetëvendosje është dashur të sigurojë 61 vota. Kosova po mbahet peng për një kandidatë. AAK ka dashur të jap zgjidhje duke propozuar dy emra që vetë LVV nuk i ka pranuar e ata janë lidhur me një emër që është ai i Albulena Haxhiut që nuk po merr votat e mjaftueshme është dashur ta tërheqë e t’i hapë rrugë një kandidati që do të mund t’i merrte votat e mjaftueshme, por duke pasur parasysh që nuk i kanë votat janë lidhur për emrin e Haxhiut”, ka theksuar ajo.

Limaj: Duhet të ndiqen praktikat parlamentare

Lideri i Nismës, Fatmir Limaj tha se kjo që ndodhi sot nuk është në praktikën parlamentare. Ai tha se duhet kthyer praktikës parlamentare dhe kryetari i Kuvendit e nënkryetarët të zgjidhen me votë të hapur. Ai ka folur edhe për takimin mes Kurtit e Krasniqit. Tha se i vjen mirë që pas dy muajsh po del ajo që ka thënë se në politikë duhet të ketë takime e diskutime.

“Nuk kanë pasur nevojë të shkojnë dy muaj për të ardhur tek ajo që ka ndodhur sot. Politika kështu bëhet, bashkëbisedoni, takoheni, tentoni për të gjetur zgjidhje. Por, nuk duhet asnjëherë të përjashtohen mundësitë e takimeve e bashkëbisedimeve. Më vjen mirë që atë që e kam thënë para dy muajsh, për tema nacionale, për tema në interes të shtetit duhet të dialogohet”, tha Limaj.

Tutje kreu i Nismës tha se i vjen mirë deputetët e Kuvendit, sipas tij, nuk ranë në shkelje të praktikave e të ligjit.

“Nuk zgjidhen organet e Kuvendit e Qeveria pa pasur shumicën parlamentare. E rëndësishme për mua është që po vijnë te ato që kam thënë para dy muajsh, duhet të takohen të bashkëbisedojnë. Unë jam për një politikë racionale, e jo për politika reaguese me mllef. Kjo nuk është rruga që duhet të ndiqet, është praktika parlamentare që kryetari i Kuvendit zgjidhet me vota të hapura. Asnjë variant tjetër që bënë shkarje nga praktikat parlamentar e bënë shkelje, ne nuk bëhemi pjesë të atyre praktikave”, tha Limaj pas ndërprerjes së seancës.

Dehari propozon votim të fshehtë për zgjedhjen e të parit të Kuvendit

(E plotësuar, ora 10:50) Kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, ka propozuar votim të fshehtë si mënyrë për të dalë nga ngërçi për zgjedhjen e të parit të Kuvendit.

PDK-ja, LDK-ja e AAK-ja janë shprehur kundër votimit të fshehtë për zgjedhjen e kryeparlamentarit, duke thënë se kjo është shkelje e Kushtetutës.

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë se kjo që po tenton të bëjë VV-ja është e paprecedentë.

“Prej kur e kemi shpallur pavarësinë, kjo është e paprecedentë. Ndoshta prej fillimi të kishit vendos me votim të fshehtë kish pas kuptim. Mos e  thelloni krizën, propozone një emër tjetër. Mos e ktheni Kuvendin në cirk. Nuk mund ta impononi në mënyrë arbitrare kryesuesin. Nuk keni të drejtë. As sekretariati nuk duhet me iu ngu kërkesa të paligjshme. Kur nuk i keni votat në mënyrë transparente, si mund t’i keni në mënyrë të fshehtë? A e keni naj pazar që ne nuk e dimë? Po krijoni precedentë anti-kushtetues. Është fyerje për qytetarët”, ka thënë ai.

Arbitrare u cilësua kjo mënyrë nga deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami.

“Është arbitrare, është shkelje kushtetuese, është shkelje e rregullores. Nuk do të bëhemi asnjëherë pjesë e shkelje të tua”, ka thënë Bajrami.

Time Kadrijaj nga AAK-ja tha se kjo që po ndodhë në Kuvend është për keqardhje. “AAK-ja ka dhënë alternativa dhe ju nuk i keni pranuar ato. Andaj nuk do të bëhemi pjesë e cirkut tuaj”, tha Kadrijaj.

Sot përpjekje e nëntë për konstituimin e Kuvendit të Kosovës(E plotësuar, ora 10:20) Deputetët do të mblidhen për vazhdimin e nënë të seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, në përpjekjeje për të përmbyllur konstitutimin e tij. Në përpjekjen e tetë për konstitutimin e Kuvendit, e cila është mbajtur të martën, kandidatja për kryeparlamentare e propozuar nga LVV-ja, deputetja Albulena Haxhiu, ka dështuar të zgjidhet për herë të gjashtë.

Limaj: Konstituimi i Kuvendit dhe Qeverisë nuk mund të bëhet pa marrëveshje politike

Lideri i Nismës, Fatmir Limaj, parti që ka tri vota në Kuvendin e Kosovës tha se konstituimi i Kuvendit dhe Qeverisë është vështirë të bëhet pa një marrëveshje politike të koalicionit i cili e përcakton, e definon dhe e vendosë, sipas tij, shumicën parlamentare.

“Dhe ajo shumicë zgjedh  kryetarin e Kuvendit dhe Qeverinë, dhe qeverisë me vendin sipas mandatit ligjor. Kjo është rruga që ndërtohen institucionet , kjo është rruga që bëhet politika në botë, kështu është bërë në Kosovë deri tani. Marrëveshjet politike duhet të ndërtohen para se të futen në kuvend”, tha Limaj.

Ai ka shprehur besimin se kjo do të ndodhë shpejt.

Kadrijaj: LVV-ja është bllokuese e konstituimit të Kuvendit

Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj, ka thënë se qytetarët duhet ta dinë se Lëvizja Vetëvendosje është ajo që po bllokon konstituimin e Kuvendit.

Sipas saj, AAK-ja ka propozuar dy emra për t’i votuar për kryeparlamentare, por siç thotë ajo, VV-ja nuk po do të dalë nga kriza.

“S’kemi votë në këto rrethana. Për zhbllokimin e kësaj situate kemi propozuar dy emra, por nuk po duan. Edhe partitë e tjera kanë shprehur gatishmëri të votojnë tjetër kandidat. Qytetarët duhet ta dinë se VV-ja është bllokuese e konstituimit të Kuvendit”, ka deklaruar Kadrijaj.

Ajo u shpreh se edhe nëse do të ishin të ftuar në takimin e sotëm nga Kurti nuk do të kishin shkuar.

Peci: Nëse janë të interesuar që ne të jemi në opozitë, ata sa më parë duhet të votojnë kryetarin e Kuvendit

Bashkëkryetari i partisë “Guxo” që është në koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje, Faton Peci ka thënë se nuk ka asgjë të jashtëligjshme t’i kërkohet deputetëve vota për të zgjedhur kryetarin e Kuvendit.

“Nuk ka asgjë të jashtëligjshme dhe jo të pranueshme nëse kërkohet vota e deputetëve. Nuk kam kontaktuar me asnjë deputet të opozitës, prej këtu po u bëj thirrje ta votojnë kryetarin e Kuvendit. Nëse partitë opozitare kanë shkuar në zgjedhje me idenë për të na dërguar në opozitë, ekziston vetëm një mundësi, votimi i kryetares së Kuvendit, zhbllokimi  krijimit të institucioneve, kuvendit fillimisht”, tha ai.

I pyetur se nëse duhet të ndryshojë qëndrim LVV-ja sa i përket emrit të kandidates, tha nuk është çështje oferte dhe kërkese.

“Kjo është çështje e përcaktimit të Vetëvendosjes e partnerëve të saj për emrin e Albulena Haxhiut. Një e drejtë që e ka dhënë qytetari e Gjykata Kushtetuese përmes interpretimit se e drejta i takon ekskluzivisht partisë fituese, kjo e drejtë nuk mund t’i delegohet atyre që janë humbës të zgjedhjeve”, tha Peci teksa po hynte në Kuvendin e Kosovës, për të provuar për të nëntën herë konstituimin e Kuvendit.

Haziri: LDK shkon në takim vetëm kur duhet me kry punë

Deputeti i LDK-së, Lutfi Haziri ka bërë me dije se partia e tij nuk ndryshon qëndrim sa i përket votimit të Albulena Haxhiut si kryetare e Kuvendit. Ai u deklarua edhe për mosshkruarjes së LDK-së në takim me Albin Kurtin, ku thotë se LDK nuk shkon në takim “sa për mu taku”.

“Po mungon një marrëveshje politike që partia e parë duhet me realizu. Për Kuvend dhe Qeveri. Me pas qenë LDK në këtë pozitë, para 5 jave i kishim mbyll këto çështje. Nuk ka vullnet për takim për me zgjidh problemi. Me ba takime sa për mu taku, LDK nuk funksionon kështu, ne shkojmë në takim vetëm kur duhet me kry punë”, ka theksuar ai.

Murati: Refuzimi i LDK-së për takim me Kurtin, një përgjigje e qartë se kush po bllokon Kuvendin

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Hekuran Murati ka thënë se me ftesën e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti ndaj PDK-së dhe LDK-së për të diskutuar rreth konstituimit të Kuvendit të Kosovës dhe mospranimin e ftesës nga ana e LDK-së, po shihet se kush po bën bllokada të Kuvendit të Kosovës.

Murati para seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, tha se refuzimi i LDK-së për takim është një përgjigje e qartë për qytetarët e Kosovës.

“Po qartësohet pra se kush po bën bllokada, refuzimi edhe për të diskutuar për temën besoj që është mjaft e qartë. Kemi edhe hipokrizinë tjetër, ku thuhet që pozita e kryetarit, hajde ta diskutojmë ndërkaq pozita e nënkryetarit na është e garantuar me kushtetutë, e njëjta pozitë është e garantuar me kushtetutë”, ka theksuar Murati.

Vazhdon sot seanca konstituive e Kuvendit

Një përpjekje e re, e nënta me radhë për konstituimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës do të bëhet sot, pas dështimit të përpjekjes së tetë të martën. Vazhdimi i seancës pritet të filloj në orën 10:00.

Kandidatja për kryekuvendare nga Lëvizja Vetëvendosje, Albulena Haxhiu për të gjashtën herë ka dështuar të zgjidhet në krye të këtij institucioni.

Për të dal nga kjo situatë kryetari i LVV-së njëherësh kryeministër në detyrë, Albin Kurti i ka ftuar në takim të përbashkët kryetarin e PDK-së, Memli Krasniqi, dhe atë të LDK-së, Lumir Abdixhiku. Përmes letrave dërguar atyre, Kurti ka thënë se takimi ka për qëllim konsultativ për konstituimin e Kuvendit.

“Me qëllim konstituimin e Kuvendit të Republikës, duhet zgjedhur kryesia e Kuvendit, së pari kryetari pastaj edhe pesë nënkryetarët. Duke u bazuar në Kushtetutë, tre nënkryetarë do të jenë nga tri partitë fituese që fituan më së shumti ulëse, andaj ju ftoj për një takim të përbashkët”, thuhet mes tjerash në dy letrat e dërguara në drejtim të Abdixhikut dhe Krasniqit.

Kreu i PDK-së Memli Krasniqi ka konfirmuar gatishmërinë për takim, e LDK-ja i është përgjigjur negativisht ftesës.


MË SHUME NGA Lajme