Tentimi i njëmbëdhjetë për konstituimin e Kuvendit
V.S&B.H|RTKlive
Lëvizja Vetëvendosje ka paralajmëruar se edhe sot në sallën plenare do të kërkohet forma e njëjtë e votimit.
Deputetja e zgjedhur e Vetëvendosjes, Arbërie Nagavci tha se nuk ka arsye për ndërrim të formës së votimit.
“Nuk ka arsye për ndërrim të formës së votimit”, tha shkurt para gazetarëve Nagavci, teksa po hynte në Kuvendin e Kosovës për tentimin e njëmbëdhjetë për konstituimin e këtij institucioni.
Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu tha se qëndrimi i tyre është i qartë qoftë për propozimin për votimin e fshehtë qoftë për kandidaten, Albulena Haxhiu.
“Më vjen shumë keq që Albulena Haxhiu nuk ka mësuar asgjë nga përvoja e saj në politikë. Unë kam menduar që pas eksperiencës së saj me gazin lotsjellës më kur nuk do të lejojë të keqpërdoret nga shefi i partisë. Albin Kurti edhe kësaj radhe si në rastin e gazit lotsjellës Albulena Haxhiun po e përdorë si armë kundër shtetit të Kosovës, prandaj kjo është e pafalshme, sepse Albulena Haxhiu po e jep shembullin më të keq, të politikanes dhe shembullin më të keq të gruas shqiptare”,tha Musliu.
Armend Zemaj nga LDK-ja tha se është e qartë se pa pasur një marrëveshje politike dhe pa u definuar se cili subjekt mund ta sigurojë shumicën për ta krijuar Kuvendin e Qeverinë e Kosovës nuk pritet që do të ketë ndonjë rezultat.
“Ndërsa për kryeneçësinë, për mënyrën e udhëheqjes së seancës kemi folur shumë. Nëse vazhdon shkelja e njëjtë atëherë nuk është mirë as për kuvendin, as për demokracinë në formën se si po tentohet të imponohet zgjedhja e kryetarit të Kuvendit”, tha ai.
Kreu I AAK-së Ramush Haradinaj tha se nëse s’ka ndryshim të kandidaturës, qëndrimi I tyre mbetet i njëjtë.
“Pa një kandidat unifikues për kryeparlamentar nuk do të mund të ecet para në konstituimin e Kuvendit të Kosovës. “Nëse kemi një kandidat të ri – unifikues me siguri se do ta kryejmë sot detyrën tonë, nëse jo po më duket se jemi në vendnumëro, e që është një situatë shumë e keqe. Mendoj që është urgjente ta gjejmë një rrugë të veprimit të mëtejmë”, ka theksuar Haradinaj. I pyetur se kush ishte kandidati që ishte përfolur herën e kaluar për të cilin paralajmëroi vetë kreu i AAK-së, ai shpreh: “Kishim disa shenja se po diskutoheshin disa opsione të reja. U fol për Glauk Konjufcën në atë kohë dhe ne ishim në shqyrtim për t’i dhënë votën. Nëse s’ka ndryshim të kandidaturës mbesim në qëndrim të njëjtë”, tha ai.























