Muzeu i Ferizajt, Institucioni që promovon trashëgiminë kulturore
Flora Maxharraj|RTK
Muzeu i Qytetit në Ferizaj është një ndër institucionet më të rëndësishme kulturore dhe historike të këtij qyteti. Ai paraqet një pasqyrë të gjallë të së kaluarës, traditave dhe zhvillimit të Ferizajt ndër shekuj.
I veçantë në llojin e tij, muzeu ruan dhe ekspozon një koleksion të pasur eksponatesh që përfshijnë artefakte arkeologjike, dokumente historike, objekte etnografike, si dhe veshje tradicionale të zonës.
“Vlen të përmendet që ky muze ndahet në tri sektorë: arkeologjinë, etnologjinë dhe historinë. Kur jemi te arkeologjia, shumë herë ky sektor quhet edhe ‘zemra e muzeut’, sepse përfshin trashëgiminë e shtresuar shekullore të një vendi. Kështu edhe ne këtu kemi një trashëgimi arkeologjike që na shpie deri në epokën neolitike...” – shprehet Ilir Bytyqi, zyrtar i lartë për trashëgimi dhe muze.
Në këtë muze, vizitorët kanë mundësi të njihen më afër me jetën e përditshme të banorëve të Ferizajt ndër vite, zakonet e tyre, mënyrën e jetesës dhe rolin e qytetit në zhvillimet historike të vendit. Sipas Bytyqit, Muzeu i Qytetit të Ferizajt mbetet ndër institucionet më të vizituara edhe nga vizitorët ndërkombëtarë.
Muzeu i Qytetit të Ferizajt nuk është vetëm një vend ku ruhen të kaluarat, por edhe një hapësirë ku e kaluara takohet me të tashmen, duke ofruar edukim, frymëzim dhe ndjenjë identiteti për brezat e rinj.























