14:09 / 06.05.2025
RTK merr mirënjohje nga Shoqata e të Shurdhërve të Kosovës
RTK
Një delegacion i Shoqatës së të Shurdhërve të Kosovës, ka vizituar Radiotelevizionin e Kosovës.
Delegacioni i udhëhequr nga drejtori ekzekutiv, Enver Kurtalani, është pritur në takim nga ushtruesi i detyrës së drejtorit të përgjithshëm të RTK-së, Hysen Hundozi dhe drejtori i Televizionit, Rilind Gërvalla.
Shoqata e të Shurdhërve i ka shprehur mirënjohje televizionit publik për ofrimin e qasjes në gjuhën e shenjave në dy edicionet e lajmeve, atë të orës 17:00 dhe në edicionin qendror të lajmeve në 19:30.
Televizioni i Kosovës është i vetmi kanal që transmeton lajmet edhe në gjuhën e shenjave. Nga muaji prill i vitit të kaluar, në RTK3, ka filluar transmetimi i lajmeve në gjuhën e shenjave edhe në edicionin qendror të lajmeve.























