Kurti: Humbja e Aganit ishte më shumë sesa humbje njerëzore
BKT
Lajme

Kurti: Humbja e Aganit ishte më shumë sesa humbje njerëzore

K. K. / RTKlive

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka përkujtuar akademik Fehmi Aganin në përvjetorin e 26 të vrasjes. Ai ka theksuar se humbja e Aganit ishte më shumë sesa humbje njerëzore. “Ishte humbja e një filozofi, magjistri të shkencave politike, e doktor shkencash të sociologjisë”.

Kurti në një postim në “Facebook” ka thënë se përveç rrethit akademik, Agani shtrihej edhe në historinë politike të vendit tonë, si intelektual politikan.

Ai po ashtu tha se atëherë kur forca e regjimit diktatorial serb të Millosheviqit filloi të bie, projekti gjenocidal ndaj shqiptarëve u intensifikua.

Tutje ai ka theksuar se me këto akte kriminale dhe masakra të njëpasnjëshme, regjimi serb tentoi të linte plagë të thella e të na privonte nga mendjet e shquara e të ndritura të vendit.

“Ishte 6 maji i vitit 1999, pak më shumë se një muaj para mposhtjes dhe largimit përfundimtar të forcave serbe nga Kosova, kur ata e ndalën një tren që po shkonte drejt Maqedonisë. Mes shumë qytetarëve të tjerë që po udhëtonin atë ditë, ishte dhe politikani i shquar dhe sociologu i mprehtë Fehmi Agani, i cili periudhën e atëhershme po e bashkëvuante me të gjithë të tjerët edhe pse angazhimin e kishte të një dinamike dhe rezonance aq të madhe për kohën. Nga ndalja e trenit, ndërrimit të kahjes së tij, kthimit të detyruar në Fushë Kosovë dhe rrëmbimit të pasagjerëve, ishte një çast. Një çast që zgjati sa një përjetësi, e që mori me vete dhe veprimtarin tonë të shtrenjtë. Trupi i Fehmi Aganit u gjet të nesërmen në afërsi të Lipjanit”, ka shkruar Kurti.

Ndër të tjera Kurti ka thënë se krimet e Serbisë nuk falen e harrohen.

“Plagët janë të pashërueshme. Mungesa e drejtësisë vendore e ndërkombëtare duhet të marrë fund. Lavdi për jetën, veprën dhe sakrificën e Fehmi Aganit!”, shkruan tutje ai.


MË SHUME NGA Lajme