Dështon sërish konstituimi i Kuvendit, seanca vazhdon pas 48 orësh
A.B / RTKlive
(E plotësuar, ora 10:37 ) Ka dështuar edhe sot përpjekja tjetër për konstituimin e Kuvendit të Kosovës. Në seancë të pranishëm ishin 113 deputetë, teksa kryesuesi Avni Dehari vendosi sërish në votim formimin e Komisionin për votim të fshehtë të kryetarit të Kuvendit të Kosovës.
56 deputetë votuan për, 1 kundër, derisa s’pati abstenim. Deputetët e partive tjera nuk morën pjesë fare në votim.
Kryesuesi Avni Dehari, tha se seanca mbahet me 9 maj në ora 10:00)
LIVE|Sot përpjekje tjetër për konstituimin e Kuvendit
(E plotësuar) Deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës do të mblidhen sërish sot për të vazhduar punimet e seancës konstituive të Legjislaturës së nëntë.
Ndryshe të hënën duke proceduar me rendin e ditës, kryesuesi i seancës, deputeti Avni Dehari, kërkoi serish nga subjektet politike që nuk i kanë propozuar emrat për anëtarë të komisionit zgjedhor për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, me votim të fshehtë (PDK, LDK, Lista serbe dhe AAK-Nisma), që ta bëjnë këtë. Nga subjektet e lartpërmendura nuk u deklarua askush.
Më pas përbërja e komisionit, me anëtarët e propozuar në vazhdimet e kaluara të seancës, u hodh në votim.
“56 deputetë kanë dhënë votën për, një kundër, abstenim nuk ka. Nuk kemi pasur kuorum serish. Shihemi më 7 maj, në orën 10:00”, tha kryesuesi Dehari.
Nga zhvillimet tjera kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh kryeministër në detyrë, Albin Kurti, i dërgoi një letër, kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, në të cilën ka kërkuar koalicion qeverisës.
Kurse Lidhja Demokratike e Kosovës ka propozuar qeveri të tranzicionit me të gjitha partitë shqiptare. Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, dje në një konferencë për media ka bërë të ditur se partia e tij nuk e pranon ftesën e Lëvizjes Vetëvendosje për koalicion. Njëherësh, ai tha se bashkëpunimi mes këtyre dy subjekteve është i pamundur.
RTK me fillim nga ora 09:30 do të sjellë një emision special dedikuar zhvillimeve të fundit rreth Kuvendit.























