RTK dhe Deutsche Welle thellojnë bashkëpunimin
BKT
Lajme

RTK dhe Deutsche Welle thellojnë bashkëpunimin

Bekim Shehu/RTK

Radiotelevizioni i Kosovës dhe mediumi i jashtëm publik gjerman Deutsche Welle do ta thellojnë bashkëpunimin në fushën programore, atë akademike dhe në fushën e distribucionit. Nënshkrimi i dy marrëveshjeve u bë gjatë një vizite që ushtruesi i detyrës së drejtorit të përgjithshëm të RTK-së, Hysen Hundozi, dhe drejtori i Televizionit, Rilind Gërvalla, zhvilluan në selinë e Deutsche Welles në Bon të Gjermanisë.

“Bashkëpunimi me Deutsche Welle, siç u diskutua në takimin që e patëm, konsiston në transmetimin e disa emisioneve të prodhuara nga Deutsche Welle, të cilat disa do të përgatiten nga vet Deutsche Welle në gjuhën shqipe dhe të tjerat do t’i përgatisim ne në RTK. Po ashtu, pjesë e marrëveshjes është edhe realizimi i intervistave të rregullta periodike për nevoja programore të RTK-së, ku kolegët tanë në Deutsche Welle do të raportojnë për zhvillimet kryesore në Gjermani dhe Evropë, të cilat janë me interes të veçantë për publikun dhe audiencën kosovare”, tha Hysen Hundozi.

Ndërkohë, drejtori i Televizionit, Rilind Gërvalla, u zotua se RTK do të jetë partner serioz i Deutsche Welles, duke theksuar se mediumi gjerman është media e zërit të Kosovës edhe në kohë të vështira, dhe duke e cilësuar atë si zë të lirisë. Ai shtoi se bashkëpunimi do të shtrihet edhe në rrjetet sociale nga të dyja mediumet.

RTK dhe Deutsche Welle kanë bashkëpunim në fushën programore që nga viti 2013. Me thellimin e këtij bashkëpunimi, vazhdon të pasurohet programi i RTK-së, përmes përmbajtjes cilësore dhe pjesëmarrjes së gazetarëve të DW-së në emisionet informative të RTK-së, në gjuhën shqipe dhe atë serbe. Gjithashtu, RTK do të transmetojë dokumentarë të DW-së dhe do të përfitojë trajnime profesionale për redaksitë e RTK-së, me fokus në gazetarinë digjitale dhe verifikimin e fakteve.

Çdo javë në RTK, të shtunave në edicionin qendror të lajmeve, do të transmetohet magazina televizive “Përmbledhja javore e DW-së” me zhvillimet kryesore politike, ekonomike, kulturore dhe ato të sigurisë.

“DW Europeo” është një magazinë tjetër javore që do të transmetohet në RTK dhe që trajton temat më të rëndësishme politike, ekonomike dhe shoqërore nga vendet e BE-së dhe nga rajoni.

“Drive it” është një magazinë tjetër televizive për adhuruesit e makinave, ku ofron testime të makinave të reja, reportazhe për makina klasike, inovacione teknologjike në industrinë e automobilizmit dhe lajme rreth trendeve në tregun automobilistik.

“Shift” është një magazinë televizive e fokusuar në teknologji dhe digjitalizim, që eksploron zhvillimet e fundit në botën e teknologjisë, inovacionet digjitale, ndikimin e mediave sociale në shoqëri, si dhe temat mbi sigurinë kibernetike dhe inteligjencën artificiale.

“Europe in Concert” është një magazinë tjetër televizive që do të sjellë performanca nga artistë ndërkombëtarë, koncerte nga skena evropiane, ku paraqiten zhanre të ndryshme muzikore si rok, pop, xhaz dhe muzikë alternative.

Ky bashkëpunim shumëvjeçar ndërmjet RTK-së dhe Deutsche Welles ka krijuar dhe do të krijojë ura të qëndrueshme ndërmjet dy institucioneve publike, të cilat do të kontribuojnë edhe më tej në përmbushjen e misionit të RTK-së për të ofruar informim profesional dhe të hapur ndaj zhvillimeve evropiane dhe rajonale.


MË SHUME NGA Lajme