Ambasadorët e QUINT-it me thirrje për formimin e Qeverisë së re
E.Hoti/RTKlive
Ambasadorët e shteteve të QUINT-it janë takuar të hënën me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti.Pas takimit, ambasadorët e kanë theksuar nevojën për të formuar sa më shpejt një qeveri të re.
Ambasada e Italisë në Kosovë, në një postim në Facebook, ka shkruar se ambasadorët e kanë cekur nevojën që të formohet sa më shpejt një qeveri e re.
“Sot ambasadorët e QUINT-it janë takuar me kryeministrin në detyrë Kurti. Është theksuar nevoja për të formuar sa më shpejt një qeveri të re, që Kosova të ecën para drejt prioriteteve kyç si avancimi drejt integrimit Euro-Atlantik”, ka njoftuar nga Ambasada e Italisë në Kosovë.
Edhe shefi i zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav, ka njoftuar për takimin.
“Sot, ambasadorët e QUINT-it u takuan me kryeministrin në largim Kurti. Për progres në integrimin evropian të Kosovës, duhet një qeveri stabile dhe funksionale. Status-quo aktuale nuk i sjell dobi askujt”, ka shkruar Orav në platformën “X”.

Edhe ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, po ashtu ka thënë se duhet formuar sa më shpejt qeveria e re. “Kosovës i duhet një qeveri stabile që është e aftë të marrë vendime. Më mirë dje se nesër. Presin shumë detyra të rëndësishme vendore dhe ndërkombëtare dhe nevojitet përparim në çështjet jetike. Ky ishte mesazhi kryesor që zëvendësi im, së bashku me kolegët e QUINT-it, përcollën në një takim me kryeministrin në detyrë Kurti”, ka shkruar Rohde në Bluesky.

Ndërsa ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Jonathan Hargreaves, ka thënë se e ka inkurajuar Kurtin për formimin e qeverisë së re.
“Sot pasdite e takova kryeministrin në detyre Albin Kurti me ambasadorët e tjerë të QUINT-it. E inkurajova për formimin sa më të shpejtë të qeverisë së re për të vepruar në interes të Kosovës dhe popullit të saj duke bërë progres në çështjet jetike, siç është zhbllokimi i financimit dhe procedimi drejt integrimit euro-atlantik”, ka shkruar Hargreaves në Facebook.























