Shkodra Elektronike’ gati për skenën e madhe – Eurovisioni nis sonte
BKT
Kulturë

Shkodra Elektronike’ gati për skenën e madhe – Eurovisioni nis sonte

Sh.G|RTKlive

Në prag të nisjes së edicionit të sivjetmë të Eurovisionit, gazetarët Albert Limani dhe Gëzim Sahiti ishin të ftuar në Radio Televizionin e Kosovës (RTK), për të diskutuar mbi pjesëmarrjen shqiptare dhe rëndësinë e promovimit të këngës në këtë garë të madhe muzikore evropiane.

Albert Limani, përfaqësues i faqes Eurovision Kosova, një platformë që mbështet këngët shqiptare në Eurovision, theksoi rëndësinë e promovimit paraprak të këngëve pjesëmarrëse.

“Ka shtete që investojnë shumë në promovimin e këngës që e dërgojnë në Eurovision, dhe të tjera që nuk merren fare me këtë pjesë. ‘Shkodra Elektronike’ është një grup që nuk ka pasur shumë përvojë në skenat e mëdha, por turnet promovuese i kanë ndihmuar shumë që të çlirohen emocionalisht, në mënyrë që të performojnë me më pak presion në skenën e madhe,” u shpreh Limani.

Ai shtoi se statistikat kanë treguar një trend të qartë sa i përket gjuhës së këngës.

“Në shumicën e rasteve, Shqipëria ka kaluar në finale kur ka kënduar në gjuhën shqipe. Përkundrazi, në rreth 90% të rasteve kur kënga është përkthyer, nuk ka arritur të kalojë në finale”, tha ai.

Nga ana tjetër, Gëzim Sahiti analizoi stilin unik të këngës “Zjarr”, me të cilën Shqipëria po përfaqësohet këtë vit.

“Kjo këngë nuk bën pjesë në kategorinë e këngëve që pëlqehen nga të gjithë. Ka një stil të veçantë që kombinon etnon, folklorin dhe elemente elektronike – një miks që e ka bërë të spikatur. Grupi ka treguar karizëm dhe një paraqitje të fuqishme skenike. Veshja dhe skenografia janë menduar me kujdes, duke përfshirë elemente tradicionale si motivet që simbolizojnë kalanë e Shkodrës dhe qilimin, që u bë mjaft i komentuar”, tha Sahiti.

Spektakli i parë gjysmëfinal i Eurovisionit do të transmetohet sonte live në RTK, ndërsa publiku shqiptar shpreson për një tjetër sukses në skenën ndërkombëtare.


MË SHUME NGA Kulturë