Zëvendësdrejtori i policisë takon ambasadorin britanik, flasin për sigurinë
M.P. / RTKlive
Zëvendësdrejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Fehmi Hoti ka takuar ambasadorin e Britanisë së Madhe në Kosovë, Jonathan Hargreaves.
Sipas komunikatës së Policisë së Kosovës, Hoti ndau informacione mbi situatën e sigurisë në vend, përfshirë situatën në veri, si dhe për punën e angazhimin e Policisë së Kosovës, si një polici profesionale, demokratike dhe e zhvilluar në fusha të ndryshme policore.
“Ndër të tjera nga Hoti u potencua se Policia e Kosovës ka bashkëpunim të mirë me partnerët e saj strategjik, përfshirë edhe një bashkëpunim të shkëlqyeshëm me ambasadën Britanike në Kosovë, e cila në vazhdimësi ka përkrahur dhe mbështetur Policinë e Kosovës, si me trajnime të avancuara po ashtu edhe me pajisje logjistike e teknologjike”, theksohet në komunikatë.
Sipas njoftimit, takimi rezultoi me dakordimin e përbashkët, për rritjen e mëtejme të partneritetit, bashkëpunimit dhe përkrahjes në fusha të ndryshme policore, të cilat reflektojnë në interes të sigurisë së përgjithshme si dhe parandalimit dhe luftimit të të gjitha veprimtarive kriminale.























