Një javë ndërgjegjësimi për shëndetin mendor
Sh.G|RTKlive
Në kuadër të Muajit të Ndërgjegjësimit për Shëndetin Mendor, në studion e RTK-së ishte i ftuar Uk Salihi, koordinator i njërit prej projekteve që synojnë ngritjen e vetëdijes për shëndetin mendor në Kosovë.
Salihi tregoi se iniciativa kishte nisur para tetë vitesh si një kampanjë e vogël me aktivitete artistike, të organizuara gjatë muajit të Ndërgjegjësimit për Shëndetin Mendor. “E kemi filluar si një iniciativë të vogël, me qëllim që përmes artit të promovojmë rëndësinë e shëndetit mendor. Me kalimin e viteve, kjo nismë është rritur dhe tash e tri vite është shndërruar në një festival njëjavor”, tha ai.
Festivali organizohet për shtatë ditë dhe përfshin aktivitete kulturore e edukative në bashkëpunim me 17 organizata të ndryshme nga komuna të ndryshme të vendit.
Gjatë javës, nga data 12 deri më 17 maj, janë zhvilluar aktivitete të ndryshme, përfshirë një panel të veçantë ku foli një e mbijetuar e tentativës për vetëvrasje. “Ishte një moment shumë i fortë emocionalisht. Ajo ndau përvojën e saj para dhe pas trajtimit dhe dërgoi një mesazh të fuqishëm e frymëzues për të gjithë ata që po përballen me vështirësi mendore”, theksoi Salihi.
Ky festival synon të thyejë stigmat që lidhen me shëndetin mendor dhe të krijojë hapësira të sigurta për diskutim, shprehje artistike dhe mbështetje komunitare.























