Fabrika e Ujit në Zubin Potok nën kontrollin e ujësjellësit “Mitrovica”
E.H./RTKlive
Fabrika e ujit në Zubin-Potok tashmë do të jetë nën kontrollin e Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Mitrovica”.
Kështu ka bërë të ditur në një postim në Facebook, ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli.
“Sot është ndërprerë veprimtaria ilegale e strukturave paralele në Fabrikën e Ujit në Zubin Potok, me kërkesë të Njësisë për Monitorimin e Ndërmarrjeve Publike të Ministrisë së Ekonomisë. Kjo fabrikë e ujit është aset kritik për furnizim të sigurt me ujë për mijëra qytetarë të Republikës së Kosovës në komunat veriore. Andaj, marrja nën kontroll e këtij aseti është çështje e sigurisë, e shëndetit publik dhe e shtrirjes së kontrollit institucional“, ka shkruar ajo.
Rizvanolli ka theksuar se tash e tutje, KRU Mitrovica do të sigurohet që ky sistem jetik të funksionojë sipas standardeve ligjore dhe teknike të Republikës së Kosovës.
“Furnizimi me ujë nuk mund të jetë mjet presioni politik apo kontrolli nga jashtë. Është një e drejtë bazike e qytetarëve tanë, dhe përgjegjësi e institucioneve tona publike që ajo të realizohet në mënyrë të sigurt dhe të barabartë për të gjithë”, ka shkruar ajo.
Ajo ka falënderuar Policinë e Kosovës për mbështetjen dhe KRU Mitrovicën për gatishmërinë për t'u shërbyer të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës pa dallim.

























