Gërvalla: Faton Peci është i ndershëm deri në palcë
E.Hoti/RTKlive
Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz, ka reaguar ndaj, siç i ka quajtur ajo, "fushatave denigruese kundër ministrit në detyrë të Bujqësisë, Faton Peci".
Në një postim në Facebook, Gërvalla e ka vlerësuar Faton Pecni si “punëtor i madh, i ndershëm deri në palcë, i guximshëm si rrallë kush, i ditur, i edukuar, plot integritet dhe dinjitet”.
“Fushatat e orkestruara dhe sistematike të muajve të fundit kundër Fatonit, para dhe pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, janë produkt i krimit të organizuar dhe përfaqësuesve dhe pronarëve të bizneseve mediatike, që veç gazetarë nuk janë”, ka shkruar Gërvalla në Facebook.
Ajo i konsideron akuzat dhe raportimet kundër ministrit si “shtrembërime, trillime dhe gënjeshtra të hapura”, të cilat sipas saj, përfaqësojnë dëshpërimin e atyre që nuk kanë arritur ta dëmtojnë figurën e tij.
“Qytetari e njeh mirë Fatonin, e vlerëson punën dhe ndershmërinë e tij, dhe prandaj me votë e ka ngritur aty ku e meriton – në mesin e më të votuarve në Republikën e Kosovës,” ka thënë ajo.
Gërvalla ka theksuar se asnjë fushatë, kërcënim apo sulm nuk do ta ndalë angazhimin e tyre për të çuar përpara detyrat qeveritare me nder, dinjitet e integritet, ndërsa vlerësimi përfundimtar, siç tha ajo, u takon qytetarëve.























