RTK vlerësohet pozitivisht në raportin e BE-së për zgjedhjet e 9 shkurtit
BKT
Lajme

RTK vlerësohet pozitivisht në raportin e BE-së për zgjedhjet e 9 shkurtit

E.H/ RTKlive

Në një tryezë të rrumbullakët të mbajtur sot, ku u prezantuan rekomandimet e raportit përfundimtar të Misionit të Vëzhgimit të Zgjedhjeve të BE-së për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit në Kosovë, u vlerësua roli i rëndësishëm i transmetuesve publikë, përfshirë RTK-në, në mbulimin e procesit zgjedhor.

Në këtë tryezë morën pjesë vëzhguesit e BE-së, partitë politike, KPM, KQZ, OJQ-të dhe mediat.

Udhëheqësi i ekipit të zgjedhjeve në RTK, Lorik Arifaj, foli për të gjeturat dhe rekomandimet e raportit sa i përket RTK-së. Ai tha se raporti është dorëzuar para pak ditësh te presidentja dhe kryeministri në detyrë, ndërsa sot u mbajt tryeza me aktorët pjesëmarrës në organizim, mbulim dhe monitorim të procesit zgjedhor.

“Zakonisht, kur flitet për lirinë e medias dhe të shprehjes, kur raportet janë negative, gjithë syri kritik drejtohet ndaj transmetuesit publik, por nuk ndodh e njëjta kur vlerësohet pozitivisht. Në raportin e vëzhguesve të BE-së, RTK për herë të parë është vlerësuar për mbulim të barabartë, duke u dhënë hapësirë të gjitha subjekteve garuese, si me pagesë ashtu edhe pa pagesë”, tha Arifaj.

Sipas raportit, në faqen 31, mjedisi mediatik në Kosovë vlerësohet si pluralist dhe dinamik, duke përmendur ndarjet etnike dhe sfidat institucionale. Ndarjet etnike përmenden për shkak të ndërhyrjeve të mediave serbe në rajonet me shumicë serbe.

Arifaj tha se, si udhëheqës i ekipit zgjedhor në RTK, mendon se Radio Televizioni i Kosovës, veçanërisht kanali i dytë, ka bërë punë të jashtëzakonshme, përjashtuar mungesën e prezencës së Listës Serbe, e cila ka refuzuar të marrë pjesë.

Në raport përmendet se RTK transmetohet në mbi 40 kabllore dhe është përballur me sfida politike dhe shqetësime për pavarësinë në vitet 2023–2024. Tek rekomandimet theksohet nevoja për qëndrueshmëri financiare dhe rritje të pavarësisë së transmetuesit publik, ndarje të buxhetit sipas ligjit dhe zgjedhje të anëtarëve të Bordit – proces që aktualisht nuk mund të realizohet pa konstituimin e Kuvendit.

Gjetjet e monitorimit të mediave tregojnë se RTK ka përmbushur detyrimet ligjore dhe ka siguruar mbulim të drejtë për partitë kryesore politike: LVV, PDK, LDK, AAK dhe Nismën. Partitë tjera përbënin rreth 7% të mbulimit të përgjithshëm mediatik, duke përfshirë edhe një kandidat të pavarur që kishte hapësirë në intervista dhe mbulim aktivitetesh.


MË SHUME NGA Lajme