Hapet konferenca shkencore ‘Java e Albanologjisë’ në Prishtinë
BKT
Kulturë

Hapet konferenca shkencore ‘Java e Albanologjisë’ në Prishtinë

K. K. / RTKlive

Sot në Institutin Albanologjik të Prishtinës u hap konferenca shkencore “Java e Albanologjisë”, me pjesëmarrjen e figurave të rëndësishme nga Kosova dhe Shqipëria. Në ceremoninë hapëse morën pjesë kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, kryetari i AShAK-ut, akademik Mehmet Kraja, dhe ambasadori i Shqipërisë, Petrit Malaj.

Sipas njoftimit, fjalën përshëndetëse e mbajti nikoqiri Naim Berisha, i cili theksoi rëndësinë e albanologjisë në ndriçimin e identitetit kombëtar. Kurti vlerësoi kontributin e studiuesve shqiptarë, kurse ambasadori Malaj rëndësinë e bashkëpunimit akademik ndërmjet dy vendeve.

“Naim Berisha, në cilësinë e nikoqirit e mbajti fjalën hapëse dhe falënderuese për të pranishmit. Ndër të tjera, ai shprehu nevojën për një qasje sa më të dinjitetshme në raport me albanologjinë, si dije për dhe rreth shqiptarëve. Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti i përshëndeti të pranishmit, studiuesit, profesorët dhe organizatorët e konferencës shkencore 'Java e Albanologjisë'. Ai vlerësoi lartë albanologët dhe profesorët e nderuar shqiptarë dhe të huaj, të cilët kanë dhënë një kontribut të çmueshëm në zhvillimin e albanologjisë. Ambasadori i Republikës së Shqipërisë, Petrit Malaj, e çmoi shumë organizimin e kësaj konference, duke e vlerësuar rritjen e bashkëpunimit në mes të institucioneve kërkimore dhe akademike nga Kosova dhe Shqipëria. Ndërsa, sekretari shkencor i Institutit Albanologjik,  Adil Olluri, foli për konceptin e konferencës shkencore “Java e Albanologjisë”, prurjet dhe pritshmëritë, si dhe për botimet dhe planet kërkimore-shkencore të IAP", thuhet në njoftimin e Institutit Albanologjik.

Konferenca do të zgjasë pesë ditë dhe përfshin sesione nga fusha të ndryshme si historia, letërsia, gjuhësia, folkloristika dhe etnologjia. Sot po mbahet sesioni i parë me temën “Ndërthurja e identitetit fetar te shqiptarët”.


MË SHUME NGA Kulturë