Faton Peci përfundon dëshminë, lirohet me procedurë të rregullt|Video
BKT
Foto: Edina Avdiu
Lajme

Faton Peci përfundon dëshminë, lirohet me procedurë të rregullt|Video

E. Avdiu /RTK & V.TH / RTKLive

(E plotësuar, 18.51) Ka përfunduar intervistimi disa orësh i ministrit në detyrë, Faton Peci pranë Prokurorisë Speciale.

Zëdhënësja e Prokurorisë Speciale, Arbnora Luta ka thënë për RTK-në se intervistimi ka përfunduar dhe ai është liruar me procedurë të rregullt.

Sipas informacioneve të gazetares së RTK-së nga terreni, ministri Peci pasi e ka përfunduar intervistimin ka dalë nga një hyrje tjetër e objektit

Peci po intervistohet në cilësinë e të dyshuarit nga Prokuroria Speciale

(E plotësuar, 17.42) Ministri në detyrë i Bujqësisë, Faton Peci, është duke u intervistuar qe rreth tri orë në Prokurorinë Speciale.

Prokuroria Speciale e Kosovës ka bërë të ditur për RTK-në se ministri në detyrë i Bujqësisë, Faton Peci po intervistohet në cilësinë e të pandehurit, në kuadër të hetimeve për rastin e dyshuar të fabrikës së mbetjeve shtazore.

Intervistimi po zhvillohet pas bastisjeve që u kryen sot në katër lokacione të ndryshme me urdhër të prokurorisë.

Ministri në detyrë Faton Peci po intervistohet nga Prokuroria Speciale

(E plotësuar, 14.30) Nga Prokuroria Speciale kanë konfirmuar për RTK-në se ministri në detyrë i Bujqësisë, Faton Peci, është duke u intervistuar lidhur me dyshimet për dhënien me qira të fabrikës së përpunimit të mbetjeve shtazore.

Policia përfundon bastisje mbi dyshimet në fabrikën e mbetjeve shtazore

(E plotësuar, 13:09) Policia është larguar nga objekti i Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural ku për rreth tri orë kanë kryer bastisje mbi dyshimtë në fabrikën e mbetjeve shtazore. Policia pas bastisjes, ka nxjerr nga zyrat e MBPZHR-së disa pako si prova materiale dhe janë larguar nga ky objekt.

Shala pohon nisjen e hetimit mbi dyshimet në fabrikën e mbetjeve shtazore

(E plotësuar, 12:41 ) Prokuroria Speciale e Kosovës e ka konfirmuar se Policia e Kosovës, me urdhër të saj, po zhvillon aksion mbi dyshimet për fabrikën për mbetje.

shtazore.Prokurori Admir Shala, lidhur me bastisjen në Ministria e Bujqësisë, Agjencia për Zhvillim Bujqësor, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë dhe lokacioni i kompanisë fituese tha se Prokuroria Speciale, në bazë të urdhrit të gjyqtarit të procedurës paraprake të Gjykatës Themelore në Prishtinë, ka filluar një hetim lidhur me dhënien në shfrytëzim të fabrikës për prodhimin e nënprodukteve shtazore.

Shala bëri të ditur lokacionet të cilat po bastisen të cilat janë: Ministria e Bujqësisë, Agjencia për Zhvillim Bujqësor, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, si dhe lokacioni i kompanisë fituese.

“Siç e dini, Prokuroria Speciale ka filluar një hetim lidhur me dhënien në shfrytëzim të fabrikës për prodhimin e nënprodukteve shtazore. Hetimi është duke u zhvilluar lidhur me dyshimet për dhënien me qira të kësaj fabrike. Jemi në fazën e hetimit, jemi duke zhvilluar bastisjet dhe kontrollet në bazë të urdhrit të gjyqtarit të procedurës paraprake të Gjykatës Themelore në Prishtinë, me kërkesë të Prokurorisë Speciale. Po ashtu, me autorizimin tonë, Policia së bashku me ne është duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme me qëllim të sigurimit të informacioneve të nevojshme drejt zbardhjes së rastit konkret”, deklaroi para medieve, Shala.

Ai tutje shtoi se për çështjet më në detaje nuk mund të lëshohet për momentin, për shkak se është në fazën e hetimit, të grumbullimit të informacioneve.

Policia po zhvillon bastisje mbi dyshimet në fabrikën e mbetjeve shtazore

Prokuroria Speciale e Kosovës e ka konfirmuar se Policia e Kosovës, me urdhër të saj po zhvillon aksion mbi dyshimet për fabrikën për mbetje shtazore.

Sipas njoftimit të Policisë, bastisjet po kryhen në katër lokacione. Bastisje janë duke u kryer edhe në Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë, në kuadër të kësaj ministrie.

“Ju njoftojmë se Policia e Kosovës, me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës është duke zhvilluar bastisje në katër lokacione. Bastisjet po zhvillohen mbi dyshimet për Fabrikën për mbetje shtazore. Për detaje të tjera, publiku do të njoftohet gjatë ditës”, ka konfirmuar Arbnora Luta zëdhënëse e Prokurorisë Speciale.

Ndërkohë, nga kjo ministri në një përgjigje me shkrim kanë theksuar: “Që nga dita e parë, jemi në dispozicion të organeve të rendit dhe drejtësisë, duke ofruar çdo informatë për secilin interesim të tyrin, duke theksuar rëndësinë e sundimit të ligjit. Kemi bashkëpunuar ngushtë me këto institucione dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë, të udhëhequr nga parimet e transparencës dhe llogaridhënies”.

Dje Partia Demokratike e Kosovës akuzoi ministrin në detyrë të Bujqësisë, Faton Peci, se e ka shkelur Ligjin për Pronën Publike, në rastin e dhënies me qira të pronës për fabrikën e mbetjeve shtazore.

Ndërkaq, ministri në detyrë Faton Peci dje në një përgjigje për RTK-në i ka mohuar akuzat e PDK-së. Ai ka thënë se realiteti flet ndryshe dhe sipas tij për dallim prej PDK-së, të cilët me dekada e zvarritën ndërtimin dhe më pas ia vunë drynin kësaj fabrike, Qeveria Kurti 2 ka ofruar një zgjidhje konkrete.

Ai tha qeveria Kurti e ka funksionalizuar fabrikën për përpunimin e mbetjeve shtazore dhe e ka hequr përfundimisht njollën e zezë që rëndonte mbi Kosovën në sytë e Bashkimit Evropian.


MË SHUME NGA Lajme