Abrashi: Prokuroria Speciale po shfrytëzohet për qëllime të luftës politike
V.S|RTKlive
(E plotësuar)Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Artan Abrashi, ka hedhur akuza ndaj institucioneve të ndjekjes, duke thënë se qeveria Kurti po përballet me një fushatë të organizuar presioni nga brenda sistemit. Në një intervistë në RTK Prime, ai e përshkroi atmosferën në institucione si të rënduar dhe të ndikuar nga veprime selektive të Prokurorisë Speciale dhe Policisë Hetuese.
“Jemi ballafaquar me një situatë të një sulmi të orkestruar masiv, të përnatshëm e të përditshëm ndaj qeverisë tonë. Atmosferë e rëndë e punës. Qarqe të caktuara brenda institucioneve të ndjekjes pothuajse nuk i patën çelë zyrat brenda ministrive duke krijuar atmosferë presioni”, deklaroi Abrashi.
Ai shtoi se një qasje e tillë nuk po aplikohet ndaj pushteteve lokale të drejtuara nga opozita, duke përmendur veçanërisht komunat e udhëhequra nga PDK dhe LDK.
“Sikur të ishte një qasje e tillë edhe ndaj, për shembull, pushteteve komunale që i kanë PDK-ja e LDK-ja – a e di çka bëhet në komuna? Kur keni dëgjuar temë të madhe?”, pyeti ai.
Abrashi akuzoi Prokurorinë për selektivitet dhe për ndërtim të rasteve pa baza të forta ligjore kundër ministrive të qeverisë aktuale, ndërkohë që shkeljet në administratat e mëhershme po injorohen.
“Nuk mundet që diku të ketë tolerancë pothuajse absolute ku korrupsioni thuajse është normalizuar, e për shembull ku ka tema të përnatshme lidhur me afera, të mos ketë asgjë konkrete”, theksoi ai.
Duke e quajtur këtë një “luftë speciale” kundër qeverisë Kurti, Abrashi theksoi se qëllimi është politik dhe se mekanizmat shtetërorë po shfrytëzohen për të shtyrë përpara agjenda të caktuara.
“Ka pasur një luftë me të vërtetë të egër ndaj qeverisë ‘Kurti 2’ dhe fatkeqësisht më duhet ta pranoj që deri diku edhe ka pasur efekt. Kjo rënie është rezultat i një lufte speciale që pati degraduar aq keq, sa edhe mekanizmat e shtetit shfrytëzohen për qëllime të caktuara politike për t’i shtyrë përpara agjendat politike. E pjesë e kësaj çka po them është edhe ngjarjet e sotme që ndodhën dhe që ndoshta do të ndodhin në vazhdim”, u shpreh ai.
Abrashi përmendi edhe mbi 200 raste të evidentuara me shkelje ligjore në Ministrinë e Bujqësisë gjatë qeverisjeve të kaluara, për të cilat nuk ka pasur asnjë reagim nga organet e drejtësisë.
“Janë mbi 200 raste. Kemi parë deklarimet e ministrit Peci, ku e ka njoftuar opinionin publik, apo me qindra dokumentacione që evidentojnë shkelje ligjore të zyrtarëve të ministrisë, të ish-ministrave të kaluar edhe të akterëve të tjerë që kanë pasur punë me Ministrinë e Bujqësisë dhe pothuajse asnjë veprim konkret nuk ka pasur”, tha ai.
Abrashi në RTK: Deputetët opozitarë nën presion të partive për votim
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Artan Abrashi, në “RTK Prime” tha se deputetët opozitarë kanë presione e "diktat" nga partitë e tyre, kjo sipas tij nga frika që e kanë se mund të devijojë dikush nga vullneti politik, që Abrashi e quan të imponuar.
“A kanë deputetë presione e diktat, apo direktiva në votim? Padyshim që po, sidomos nga partitë opozitare, nga frika se mund të devijojë dikush nga vullneti i imponuar politik, kundërshtojnë edhe pse e dinë shumë mirë se brenda radhëve të tyre kanë juristë shumë të zot që dinë t’i interpretojnë aktgjykimet e Kushtetueses, Rregulloren e Kuvendit, procedurat themelore se si funksionon Kuvendi e që votimi i fshehtë është pjesë se si funksionon institucioni”, tha ai.
Abrashi e formën që e zgjodhën ata për votim të fshehtë e konsideron si formën më të mirë, që sipas tij, një deputet të shprehë vullnetin e lirë, i pa ndikuar dhe i pavarur nga presionet politike.
Abrashi tha se opozitarët e nisën fillimisht me bllokadë më 15 prill kur votuan kundër një raporti të KQZ-së.
“Kur e panë gabimin fatal, po refuzohet raporti i KQZ-së, a po i bije kjo që nuk po e pranon rezultatin e zgjedhjeve?, a nuk po i pranojnë mandatet?, Por, bllokadën e zhvendosën diku tjetër që kishte të bënte me votimin e Kryesisë së Kuvendit”, tha tutje Abrashi në “RTK Prime”.
I pyetur nëse kanë votuar ndër vite në Kuvend ndonjëherë kryetar Kuvendi të propozuar nga partitë tjera politike, Abrashi tha se: “Deri në momentin kur është shkaktuar situata e bllokimit në Kuvend në kohën e PAN-it që rezultoi me aktgjykimin e Kushtetueses, atëherë nuk ke mundur të akuzosh askënd se si ka vepruar, mirëpo pas atij aktgjykimi gjithçka është e qartë, deputetët janë të obliguar të votojnë për, kundër, apo abstenojnë”, tha ai.
Abrashi shtoi se konstituimi i Kuvendit është obligim i të gjithëve, ndërsa krijimi i qeverisë është obligim ekskluzivisht i partisë së parë.
Abrashi në RTK: Po të pyetesha unë do të mblidheshim çdo 24 orë
Derisa panelistët në studion e RTK Prime i numëronin deputetit të Vetëvendosje Artan Abrashi dështimet çdo 48 orëshe për t’u konstituuar Kuvendi i Kosovës, ai tha se po të pyetej ai do të mblidheshin çdo 24 orë deri kur të dilet nga kjo situatë.
“Po të pyetesha unë, çdo 24 orë me u taku derisa të dalim nga kjo situatë, derisa secili deputet të reflektojë karshi obligimeve të qytetarëve. Çdo 48 bile shumë janë. Vendosja e afatit prej 48 orësh është bërë për të vështirësuar zvarritjet e pafundme”, tha ai.
Abrashi insistoi se i kanë numrat për qeveri.
“Te numrat na testoni në qeveri. Qytetari e ka manifestuar vullnetin e vet që Lëvizja Vetëvendosje të qeverisë me Kosovën, ka qytetarë që thonë se mos lëshoni pe ndaj kërkesave absurde të opozitës. Unë mendoj që aty ka zëra të arsyes, ka deputetë të cilët jam i bindur se do të reflektojnë karshi kësaj situate që të dalim nga kjo bllokadë e shkaktuar nga kokëfortësia, nga inati.”
Ai tha se skenari i zgjedhjeve do të ishte më i padëshirueshmi dhe opsioni i fundit.
“Por, nëse e shohim që nuk ka vullnet për zhbllokuar një situatë për të cilën po besojmë fuqishëm që kemi të drejtë. Ne nuk mund ta vëmë në diskutim propozimin tonë me partitë kundërshtare, është absurde kjo punë. LVV e ka dëshmuar se është e vetmja parti që dëshiron të dalë nga kjo situatë.”
Abrashi: Optimist se kjo situatë do të përfundojë shpejt, Kurti do të bëhet kryeministër
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Artan Abrashi, mes tjerash shprehu optimizëm për zgjidhjen e shpejtë të krizës politike dhe theksoi se beson se Albin Kurti do të jetë kryeministri i ardhshëm.
“Askush nuk mund të na ndalë të drejtën të flasim me kolegë deputetë, e këtë PDK e LDK mund ta marrin si presion i pushtetit. Jo more, është e drejtë e jona për të dalë nga kjo krizë politike, dhe vazhdimisht do ta bëjmë këtë gjë. Jam shumë optimist se kjo situatë do të përfundojë shumë shpejt. Mendoj që do të ketë reflektim, shumë shpejt do të dalim nga kjo situatë e do të vazhdojmë me votimin e qeverisë e aty padyshim do të jetë Albin Kurti kryeministër", tha ai.
Abrashi: Me Nismën jemi në diskutime, nuk ka ende asgjë konkrete
Duke folur për diskutimet me partitë politike për të dalë nga ngërçi politik, deputeti Abrashi tha se po zhvillohen diskutime me Nismën për tejkalimin e situatës politike, por nuk ka ende asgjë konkrete ose vendime të marra.
“Ne e kemi vullnetin të dalim nga kjo situatë, do të ulemi të diskutojmë edhe me deputetët tjerë, por edhe me Nismën. Është e qartë se me 22 tentativa ne obligohemi të flasim, është shumë normale kjo punë, se çfarë kërkesa kanë ata është mirë t’i pyesni ata. Edhe në fund ne vendosim a janë të pranueshme ato kërkesa, a janë të realizueshme, a kanë kosto shumë më të madhe. Këto diskutime po ndodhin, nuk është se mund të ndaj diçka, sepse ende nuk ka diçka konkrete në këtë drejtim”, theksoi ai.
Abrashi: Nuk e kemi problem ta ndërrojmë procedurën, vetëm të ketë vullnet
“Nuk e kemi problem nesër a pasnesër të ndërrojmë procedurën, vetëm a ka vullnet që të dilet nga kjo situatë. Nuk është kjo kokëfortësia jonë. Nuk ka asnjë qëndrim të partive apo ndonjë kërkesë se si të vazhdohet tutje, veç ka një bllokadë. Ne do të tentojmë vazhdimisht që t’i bindim deputetët e të gjitha partive që të reflektojnë karshi kësaj situate. Nuk ka nevojë askush të vijë në LVV. Fakti që dikush voton për t’u konstituuar Kuvendi, nuk paraqet asnjë lloj tradhtie as elektorale as politike, është vetëm përgjegjësi kushtetuese”, deklaroi Abrashi.
Abrashi: Nëse nuk ka zgjidhje duhet të shkojmë në zgjedhje
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Artan Abrashi, në “RTK Prime” tha se nëse nuk gjendet zgjidhje për situatën aktuale politike, atëherë duhet të shkohet në zgjedhje.
“Ne jemi të gatshëm për të gjitha opsionet, zgjedhjet do të ishin diçka që nuk do të dëshironim të ishte tema që të diskutohet, por nëse e shohim që nuk ka rrugëdalje nga kjo situatë, atëherë nuk përjashtohet as kjo mundësi. Nëse nuk ka zgjidhje, duhet të shkojmë në zgjedhje”, tha ai.
I pyetur nëse po bëjnë kalkulime me zgjedhjet lokale dhe nëse zvarritja është e qëllimshme, ai i quajti këto tema konspirative.























