Burgim i përjetshëm për Jeton dhe Nexhat Vllasaliun, për vrasjen e Rexhepit
BKT
Lajme

Burgim i përjetshëm për Jeton dhe Nexhat Vllasaliun, për vrasjen e Rexhepit

Arlinda Sejda / RTK

Gjykata Themelore në Prishtinë i ka dënuar me burgim të përjetshëm dy vëllezërit Jeton dhe Nexhat Vllasaliun, të cilët kryen vrasjen e biznesmenit Bedri Rexhepi.

Për më shumë se një vit e gjysmë, biznesmeni kosovar, Bedri Rexhepi, ishte i zhdukur. Megjithatë, pas hetimeve të Prokurorisë për një kohë të gjatë, trupi i tij u gjet në një zonë në komunën e Novobërdës. Aty po dyshohet se u vra e më pas u fsheh nga dy personat të cilët Prokuroria e Prishtinës i kishte akuzuar për vrasje të rëndë:

Sipas aktakuzës, Jeton Vllasaliu, më 08.04.2021, Bedri Rexhepin e dërgon në fshatin Vllasali, në shtëpinë e të pandehurit Nexhat Vllasaliu, pasi paraprakisht kishin planifikuar vrasjen e tij. Gjithnjë sipas aktakuzës, me të arritur te shtëpia e të pandehurit, Jeton Vllasaliu në mënyrë tinëzare e vret Bedri Rexhepin duke menduar që ka shumën e caktuar të parave.

Sipas dosjes së Prokurorisë, pastaj veturën me të cilën Bedri Rexhepi kishte shkuar deri te shtëpia e të akuzuarve, Jeton Vllasaliu e kishte dërguar në arat e fshatit Shushicë, Janjevë. Pastaj, i pandehuri e kishte thirrur në telefon Nexhat Vllasaliun, i cili i kishte dalë në ndihmë, duke e marrë me veturën e tij personale nga vendi ku Jeton Vllasaliu e kishte fshehur veturën e të ndjerit.

Me këtë veprim, sipas dosjes së Prokurorisë, Nexhat Vllasaliu kishte ndihmuar në kryerjen e veprës penale. Me këto veprime ata akuzohen se kanë kryer veprën penale “vrasje e rëndë”, si dhe veprën penale “dëmtim i varreve apo kufomave”.

Ky aktgjykim i gjykatës themelore është në shkallën e parë.


MË SHUME NGA Lajme