Vendoset gurthemeli i shkollës “Nuhi Gashi” në Bradash të Podujevës
BKT
Lajme

Vendoset gurthemeli i shkollës “Nuhi Gashi” në Bradash të Podujevës

V.TH / RTKLive

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, së bashku me kryetarin e Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, dhe ministren në detyrë të Arsimit, Arbërie Nagavci, morën pjesë sot në ceremoninë e vendosjes së gurthemelit të shkollës së re “Nuhi Gashi” në fshatin Bradash.

Objekti i ri shkollor do të ketë nëntë klasë mësimore, një sallë për mësimdhënësit, hapësira administrative dhe tualete moderne, përfshirë ato për fëmijët me nevoja të veçanta. Shkolla do të ndërtohet në një sipërfaqe prej 1,330 metrash katrorë, me një kosto afërsisht 625 mijë euro. Ky projekt është investim i plotë i Komunës së Podujevës.

Kryeministri në detyrë Kurti theksoi rëndësinë e këtij projekti për komunitetin lokal dhe përmirësimin e kushteve të arsimit:

“Ky është një lajm i mirë për arsimin, për Bradashin, për Podujevën dhe për të gjithë prindërit që do t’i sjellin fëmijët në shkollën ‘Nuhi Gashi’, një shkollë që mban emrin e një mësuesi të devotshëm dhe bashkëluftëtari të Shaban Polluzhës. Falënderoj komunën dhe banorët e fshatit për angazhimin dhe kontributin e tyre që kjo ditë të bëhet realitet. Synimi ynë është që punimet të përfundojnë brenda dy viteve, në bashkëpunim me kryetarin e komunës”, tha ai.

E kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, tha se ky është një ndër projektet më të rëndësishme për fshatin Bradash:

“Objekti aktual i shkollës është ndërtuar në vitet ’70 dhe nuk i plotëson më kushtet minimale për mësimdhënie. Shkolla e re është objekti i nëntë shkollor i ndërtuar gjatë këtyre pesë viteve të qeverisjes së Lëvizjes Vetëvendosje në Podujevë, pa llogaritur edhe tetë çerdhe që janë ndërtuar në këtë mandat. Jemi të përkushtuar që bashkë me qeverinë dhe Ministrinë e Arsimit të vazhdojmë të krijojmë kushte sa më të mira për nxënësit”, tha ai.

Kurse ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, theksoi investimet e shumta të bëra në komunën e Podujevës në pesë vitet e fundit:

“Vetëm nga Ministria e Arsimit janë investuar mbi 8.5 milionë euro. Janë ndërtuar pesë shkolla dhe tri çerdhe, ndërsa komuna ka dyfishuar këtë numër me investimet e saj. Janë përmirësuar 25 objekte shkollore dhe çerdhe, janë pajisur 10 shkolla me kabinete dhe laboratorë, tri shkolla me salla të edukatës fizike, dhe janë bërë investime të tjera të rëndësishme. Bashkë me komunën dhe drejtorinë e arsimit kemi bashkëpunuar ngushtë edhe me mësimdhënësit që, përveç infrastrukturës moderne, të sigurojmë edhe një cilësi të lartë në mësimdhënie", tha Nagavci.


MË SHUME NGA Lajme